Një fushatë globale e mbjelljes së pemëve e udhëhequr nga yjet e YouTube ka parë më shumë se 8 milionë dollarë të mbledhura në vetëm pesë ditë. Dhe sipas BBC, përcjell Telegrafi, ylli i YouTube, Jeffree Star, dhe sipërmarrësi amerikan, Elon Musk, janë ndër ata që kanë dhuruar.
Siç thuhet tutje, projekti “Team Trees” po synon të mbjellë 20 milionë pemë në mbarë globin deri në vitin 2020, me secilin donacion prej 1 dollarësh për të “mbjellë” një pemë. Donacionet thuhet se shkojnë në Fondacionin Arbor Day, një organizatë amerikane e dedikuar për mbjelljen e pemëve.
Por çfarë është #TeamTrees?
Në maj, një YouTuber i quajtur Jimmy Donaldson, i njohur në internet si “Z. Beast”, pyeti se çfarë duhet të bënte për të festuar abonentin e tij të 20 miliontë.
Një nga ndjekësit e tij iu përgjigj si me shaka duke i kërkuar që të mbillte 20 milionë pemë për të përfaqësuar secilin nga abonentët e tij. Që atëherë, ai ka filluar bashkëpunimin me krijues të tjerë përmbajtjesh dhe Fondacionin Arbor Day për të krijuar fushatën #TeamTrees. Ideja është e thjeshtë – për secilin donacion 1 dollar, Fondacioni Arbor Day do të mbjellë një pemë.
Pemët thuhet se do të mbillen në çdo kontinent përveç Antarktidës, dhe lloji i pemës së mbjellë do të jetë vendas, në hapësira të caktuara.
Pse pemët?
Shkencëtarët thonë se mbjellja e pemëve në të gjithë botën është një zgjidhje e lirë dhe e lehtë për të zvogëluar nivelin e dioksidit të karbonit (CO2), i cili shihet si një faktor kryesor në ndryshimin e klimës.
Ndërsa pemët rriten, ato thithin dhe ruajnë CO2 nga atmosfera dhe lëshojnë oksigjen. Fondacioni Arbor Day thotë se gjatë gjithë jetës së tyre, 100 milionë pemë mund të thithin tetë milionë ton karbon – ekuivalent me “nxjerrjen e më shumë se gjashtë milionë makinave nga rrugët për një vit”.
Kush është i përfshirë?
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vetëm gjatë pesë ditëve të kaluara, fushata ka fituar vëmendje të konsiderueshme në internet. Në këtë drejtim, vetëm Elon Musk, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Tesla-s, dhuroi 1 milion dollarë për projektin. Gjithashtu, emri i Drejtorit të Përgjithshëm të Twitter, Jack Dorsey, është shfaqur gjithashtu në faqen e liderit të faqes së fushatës “më shumë pemë”, duke u zotuar të mbjellë 150,000 pemë.
Edhe ylli i YouTube, Jeffree Star, i cili ka mbi 16 milionë abonentë, gjithashtu dhuroi 50,000 dollarë për fushatën. Veç këtyre, YouTube ka premtuar se do të bashkohet me donacionet e ardhshme prej një milion dollarësh, raporton Telegraf.
Në një video duke njoftuar fillimin e projektit “Z. Beast” ka thënë: “Unë personalisht nuk kam qenë gjithmonë më miqësor me mjedisin”.
“Ne kemi vetëm një Tokë, dhe është e rëndësishme që të kujdesemi për të. Njerëzit thjesht vazhdojnë të tallen me brezin tonë për ‘aktivizimin në rrjetet sociale’ dhe në të vërtetë nuk bëjnë diçka. Ky është shansi juaj për të bërë një ndryshim … ky është shansi ynë për t’i treguar botës që ne kujdesemi”, citohet të ketë thënë ai.