Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të premten se NATO-ja duhet të rritet dhe të ndryshojë përndryshe rrezikon të vjetërohet. Komentet e tij vijnë një ditë pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron dhënë revistës The Economist se aleanca është në vdekje klinike, komente që u hodhën poshtë nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Zoti Pompeo tha se aleanca është ndoshta një nga më të rëndësishmet “në të gjithë historinë e derisotme”.
Pas fjalimit në Berlin, sekretari Pompeo iu përgjigj pyetjes nëse NATO-ja është e vjetëruar ose klinikisht e vdekur. Ai u përgjigj se pas 70 vjetësh, aleanca duhet të rritet dhe të ndryshojë, duhet të përballet me realitetet dhe sfidat e sotme.
“Nëse vendet e ndryshme besojnë se mund të marrin përfitimet që sjell siguria pa i siguruar NATO-s burimet që i duhen, nëse ato nuk i respektojnë angazhimet e tyre, ekziston rreziku që NATO-ja të bëhet e paefektshme ose e vjetëruar,” tha ai.
Në fjalim, zoti Pompeo kritikoi trajtimin e Rusisë ndaj kundërshtarëve politikë dhe tha se taktikat e Kinës duhet të jenë mjaft të njohura për njerëzit e ish-Gjermanisë Lindore. Ai tha se vendet e lira janë në konkurrencë vlerash me vendet më pak të lira.
Zoti Pompeo ndodhet në Gjermani në prag të 30 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.