Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Edi Reja, ka dalë në konferencën për shtyp në prag të takimeve të fundit në grup kundër Andorrës dhe Francës. Kuqezinjtë do të luajnë më 14 nëntor në “Elbasan Arena” kundër Andorrës dhe tre ditë më vonë në kryeqytet kundër Francës. Sfida ndaj kampionëve të botës në fuqi do të jetë dhe takimi përurues për stadiumin e ri, që nga e hëna do të quhet “Air Albania Stadium”.
“Për Cikalleshin më vjen keq, pasi që kur kam qenë këtu ka qenë një lojtar deciziv. Mendoj se kem një kontigjent të përshtatshëm, kemi alternativa. Kemi pritshmëri të larta për të vëzhguar Kamberin. Kam gjithmonë emra për ndërrime, pasi kam disa lojtarë për të bërë atë që më duhet. Kemi bërë një rritje shumë të rëndësishme për sa i përket edhe lojës,” nisi konferencën për shtyp Edi Reja.
“E ndjej veten pjesë të projektit. Do flasim me federatën për atë se çfarë do të bëjmë në të ardhmen, sepse kemi nisur diçka të rëndësishme kemi aktivizuar shumë elementë të rinj dhe tani është radha e Kamberit”, -theksoi Reja.
“Stadiumi i ri? është një emocion për mua. De Biazi dhe Panuçi do jenë xhelozë (qesh). Kam ftuar gruan dhe vajzën dhe besoj se do jenë aty.
Stadiumi i ri do na japë stimuj dhe me 21 mijë tifozë në shkallë ekipi do ketë një shtysë më shumë. Do jetë kartëvizita jonë dhe shpresojmë të na ndihmojë të rritemi edhe më,” tha Reja