Kryeministri shqiptar, Edi Rama ndodhej sot në Ohër në një samit që u mbajt për “Mini-Schengeni Ballkanik”, ku siç e tha edhe vetë në një postim në Facebook qëllimi i samitit ishte zbatimi i katër lirive të Bashkimit Europian, ku përfshihen lëvizja e mallrave, njerëzve, produkteve dhe shërbimeve.
E ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ishte i pranishëm, pasi sipas tij në këtë samit marrin pjesë shtete të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Teksa e quajti të vetëpërjashtuar nga Samiti i Ohrit, Kosovën kryeministri Rama nuk i la pas as thumbat për presidentin serb për lidhjet e forta me Rusinë.
“Çështja që na ndan nuk zgjidhet duke u mbyllur pas mureve por duke i dhënë njerëzve frymë. Unë nuk jam në pozitën e presidentit të Serbisë që kanë edhe miq të tjerë. Kanë disa dyer. Ne kemi vetëm një derë që sheh nga perëndimi”, tha Rama në konferencën e mbajtur për shtyp.
Në takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnja e Hercegovinës, Denis Zvizdiç dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi, Dragica Sekuliç. Të gjithë të pritur nga kryeministri maqedonas, Zoran Zaev!