Pas ambasadës amerikane dhe delegacionit të BE-së në Tiranë ka reaguar edhe ambasada gjeramne në lidhje me votimin nga Kuvendi të dy anëtareve për Gjykatën Kushtetuese, Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji.
Ambasadori gjerman, Peter Zingraf i kujton institucioneve shqiptare edhe njëherë kushtin e Bundestagut Gjerman për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij në ngritjen e saj është shumë e rëndësishme që të gjithë aktorët të marrin përgjegjësitë e tyre në emërimin e gjykatësve kushtetues që të mos humbasë fokusi.
“Në rrugën drejt një Gjykate Kushtetuese funksionale është e rëndësishme, që të gjithë aktorët të marrin përgjegjësitë e tyre në emërimin e gjykatësve kushtetues dhe të mos humbin fokusin. Ne përshëndesim vendimin e sotëm të parlamentit shqiptar.
Bundestag-u Gjerman e ka theksuar në vendimin e tij të datës 26 shtator 2019 se sa e rëndësishme është rivendosja në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese edhe për procesin e përafrimit të Shqipërisë me BE-në. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në përforcimin e drejtësisë dhe shtetit ligjor”, shkruan ambasadori Zingraf në Facebook.