Shkon në 6 numri i të arrestuarve nga radhët e banorëve të Astirit, të cilët akuzohen për bllokim të qarkullimit rrugor për të protestuar. Pas arrestimeve në zonën e Astirit Partia Demokratike ka paditur në prokurori drejtuesit e policisë së Tiranës me akuzat e dhunimit të protestuesve.
Arrestimi- Tre banorë të tjerë të Unazës së Re në kryeqytet janë arrestuar nga efektivët e komisariatit nr.6 pasi akuzohen se kanë bllokuar rrugën “Teodor Keko” duke protestuar. Në pranga kanë rënë Eduard Ferhati 27-vjeç, Tomor Gjata 56-vjeç dhe Ruzhdi Daci 54-vjeç, të tre banues në zonën e Astirit. Tre të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Pas arrestimeve në unazën e re, Partia Demokratike ka paditur drejtuesit e policisë së Tiranës, duke pretenduar se uniformat blu kanë dhunuar protestuesit.
PD kerkon hetim – PD i kërkon organit të akuzës prokurorisë hetimin ndaj zyrtarëve të policisë pasi sipas tyre, janë angazhuar në aksionin policor të dhunimit flagrant të protestuesve, ndonëse këta të fundit kishin kërkuar leje për tubim paqësor.
Strazimiri: PD-ja ka depozituar një padi kundër policisë së shtetit që prej 365 ditësh po sillet si një bandë. Atje po ndodh një projekt grabitje me një kosto 20 mln eurosh për kilometër. Policia të marrë në ndjekje penale autorët e kësaj grabitje dhe të ndalë dorën e përlyer në grabitjen e parave të shqiptarëve.
Vokshi: Dhjetëra policë mbrëmë kanë kryer një akt kriminal ndaj punonjësve të shtypit dhe medias, mbi ta është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike u janë shkatërruar materialet filmike dhe janë shantazhuar. Ata ishin në krye të detyrës duke raportuar mbi protestën.
Pampuri: Të identifikohet çdo policë që ka ngritur dorë mbi shtypin. Kemi depozituar provat të gjitha janë në prokurori, bazuar mbi shkelet që kanë bërë policët mbi dhunën ndaj qytetarëve dhe punonjësve të shtypit. Një pjesë e pamjeve janë shkatërruar me dhunë nga policia, kanë mbetur disa, por jam i sigurt se nëse prokuroria do të ketë vullnetin mund të gjejë të tjera, por edhe dëshmitarë.
Operacioni për arrestimin e banorëve të Unazës së Re është i dyti, pasi pak ditë më parë u arrestuan dhe 3 protestues të tjerë po për të njëjtat akuza. Arrestimi i tyre solli reagimin e banorëve që ‘Astirit’ që zhvilluan një tubim para policisë ku u shënuan edhe disa incidente, ndërsa me ndryshimet e reja në Kodin Penal, bllokimi i qarkullimit rrugor dënohet deri në 3 vite heqje lirie. 3 të arrestuarit e parë priteshin të dilnin para gjykatës së Tiranës këtë të shtunë, por togat e zeza vendosën ti komunikojnë masën e sigurisë gjatë të dielës.