Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, ka bërë thirrje sot për protesta në mbarë Shqipërinë, ndërkohë që në disa media ka “rrjedhur” edhe plani që ka përgatitur për nesër Luli. U është bërë thirrje strukturave të Partisë Demokratike që nesër të bllokojnë autostradën Tiranë-Durrës, duke bllokuar kështu aktivitetin e një pjese të madhe qytetarësh që e përdorin këtë aks. Lulzimi thotë se e bën në shenjë proteste për tarifën e vendosur për Rrugën e Kombit. Po a e dini se si i shpëtoi Lulzimi skandalit më të madh korruptiv të pas viteve ’90, i cili lidhet pikërisht me Rrugën e Kombit? Me raport mjekësor. Me justifikimin se Lulzimi, Ministri i Transporteve në kohën kur ndërtohej rruga që hapi një gropë gjigande në buxhetin e shtetit, ishte … me temperaturë.
Shikoni se çfarë thuhet në Vendimin e Gjykatës, për një çështje për të cilën, Kontrolli i Lartë i Shtetit denonconte për abuzim me 240 milionë dollarë. Dhe ku Luli refuzonte të njihej me dosjen, duke nxjerrë raporte:
“Lidhur me zbatimin e detyrimit, që rrjedh nga përmbajtja e pikës 2 të nenit 327 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit, prokurori para se të vendosë dërgimin e çështjes në gjykatë, duhet të sigurohet që i pandehuri ose mbrojtësi i tij janë njohur me aktet e fashikullit të procedimit penal, përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme parashtruan se: Për shkak të mosparaqitjes së mbrojtësit të personit nën hetim Lulzim BASHA (megjithëse, sipas tyre, ishte thirrur rregullisht për t’u kryer ky veprim procedural), më 05.12.2008 (datë, të cilën mbajnë, si vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq, ashtu edhe kërkesa për gjykim), nëpërmjet korierit të Prokurorisë së Përgjithshme, tetë volumet e akteve të procedimit penal në ngarkim të tij u dërguan në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, prej nga, brenda ditës, u kthyen mbrapsht, duke u lënë tek dezhurni i Prokurorisë së Përgjithshme.
Shtuan gjithashtu se, në të njëjtën datë (05.12.2008), krahas dërgimit të tetë fashikujve në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, kërkesa për gjykim, bashkë me shtatë fashikuj, që përmbanin aktet e procedimit penal Nr.1, të vitit 2007, u dërguan në Gjykatën e Lartë. Për të justifikuar hartimin e të gjithë këtyre akteve dhe kryerjen e të gjithë këtyre veprimeve brenda të njëjtës ditë, ata sollën si argument faktin që, të nesërmen, më 06.12.2008, këtij procedimi penal i përfundonte afati ligjor i hetimeve. Gjatë verifikimit të pretendimeve dhe prapësimeve, që u renditën më lart, u konstatua se:
Procedimi penal, objekt shqyrtimi në Gjykatën e Lartë, fillimisht është regjistruar më 09.03.2007 në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Si shkak shërbeu intervista e botuar në gazetën Shekulli”, dhënë një ditë më parë nga shtetasi Arben MEÇE, në atë kohë në funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Punëve Publike dhe Rregullimit të Territorit në MPPRT. Në atë intervistë bëhej fjalë për dijeninë e tij rreth disa shpërdorimeve në atë Ministri, gjatë zbatimit të projekteve të financuara me fonde publike.
Me arsyetimin se, ishin administruar fakte rreth të cilave duheshin zhvilluar hetime edhe ndaj ish Ministrit te MPPRT, Lulzim BASHA, bazuar në nenin 141/1 të Kushtetutës dhe nenet 28 e 74/1 të Kodit të Procedurës Penale, më 07.09.2007, dy ditë pasi regjistruan në Regjistër, veç të tjerëve, edhe emrin e shtetasit Andi TOMA dhe një ditë pasi atij i njoftuan akuzën për krimin e shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në lidhje me nenin 25 të tij, prokurorët e asaj Prokurorie (Llambi BAKO e Ervin KARANXHA) shpallën moskompetencën lëndore, duke ia kaluar aktet Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo e fundit, më 13.09.2007 e regjistroi këtë procedim në Regjistrin e Procedimeve Penale pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm”