Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur gabim dhe të pashpjegueshëm idenë e Mini-Shengenit të Ballkanit. Ai beson se Kosova dhe Shqipëria nuk do të bashkohen, nëse këtë e shohin përmes platformave rajonale.
Lidhur me këtë deklaratë të fortë ka reaguar edhe kryeministri Rama, i cili shprehet se në 5 vjet rresht kryeministrat dhe presidenti i Kosovës janë shprehur dakord me gjithçka.
“E nxituar, ka 5 vjet kjo iniciativë dhe marrja përsipër e nismës mes të tre vendeve për ta shtyrë iniciativën përpara duke mos shtuar asgjë tjetër të re nga dokumentet përmbajtësore të iniciativës përveç lëvizjes së lirë të njerëzve që ka qenë një betejë e gjatë e imja me presidentin e Serbisë dhe ku më në fund ai është dakordësuar gjë që na jep mundësinë të heqim kufirin me Kosovën. Nuk ka absolutisht asgjë tjetër, pra çfarë nxitimi ka këtu. Përsa i përket konsultimit në 5 vjet rresht Kosova ka qenë e pranishme në tryezë, në 5 vjet rresht kryeministrat dhe presidenti i Kosovës janë shprehur dakord me gjithçka që sot ne duam të implementojmë, të zbatojmë, të konkretizojmë jo për vete po për njerëzit tanë. Besoj që nëse ka vend për fjalën konsultë këtu, konsultohet ai që merr përsipër ose vendos të mos vij, jo ai që do shkoj siç të gjithë kanë shkuar. Pra nëse në një moment të caktuar dikush vendos që unë nuk do shkoj atëherë merr në telefon dhe thotë unë nuk do shkoj, tregon arsyet dhe nëse arsyet janë bindëse atëherë sigurisht që JO-ja mund të bëhet e përbashkët. Nëse nuk janë bindëse ai që thotë JO rri me JO-në, ai që thotë PO vazhdon me PO-në,” tha Rama.