Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas vendimit për 23 të arrestuarit pas protestës së dhunshme në Kukës për tarifën e Rrugës së Kombit. Gjykata e Kukësit e mbledhur në Tiranë la në burg 11 prej protestuesve në rrugën e Kombit.
Lideri demokrat ftoi qytetarët nesër për protestë kundër qeverisë pas këtij vendimi.
“ Regjim kriminal që mbahet në këmbë nëpërmjet forcës. Rama ka privatizuar policinë gjykatat për të ndaluar drejtësinë e vërtetë. Mban në burg banorët e thjeshtë të Kukësit sikur të ishin terroristë. Katër ditët e fundit kemi parë si janë shkelur të drejtat legjitime të banorëve të pafajshëm. Rama le të lirë kriminelët dhe burgos qytetarët.
Lë të lirë Tahirin, që është kapur me përfitime miliona euro nga trafiku i drogës. Lë të lirë Qazim Sejdinin që me bandat terrorizon një qytet të tërë. E sotmja ka treguar se Rama ka privatizuar shtetin në funksion të grabitjes së qytetarëve. Ka privatizuar policinë që dhunuan sot deputetët e opozitës. Nuk mund të privatizojë dot popullin shqiptar. Regjimet që përdorin dhunën e forcën janë vetëm hapa para rrëzimit. Ne do jemi në krah të popullit kuksian e shqiptar,” tha Basha.