Projektligji për mediat, i njohur ndryshe si paketa antishpifje, është dërguar sërish nga qeveria në Kuvend, pa shumë reflektime.
Paketa e propozuar me ndryshime në muajin korrik të këtij viti pati kritika nga OSBE dhe organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias.
Por kërkesat dhe apeli i tyre duket se nuk patën shumë rezultat, pasi edhe me këto ndryshime të bëra, AMA mbetet një organ fuqiplotë në kontrollin e tregut të mediave elektronike në vend.
Në këtë projektligj të ndryshuar, kompetencat e Autoritetit të Mediave Audiovizive mbeten po të njëjtat sa u përket shkeljeve të pretenduara që mund të bëhen nga mediat online.
Edhe me ndryshimet e bëra, AMA mbetet organi që vendos për pezullimin e përkohshëm, deri edhe dhe heqjen e licencës, ndaj subjekteve mediatike.
Ky organ do të ketë në dorë vlerësimin e shkeljeve të kryera nga mediat, të cilat mund të cilësohen si vepra penale.
Gjithashtu, edhe sa i përket masës së gjobave që mund të vendosen nga AMA, nuk ka ndryshime substanciale, duke e lënë atë në gjykimin e Këshillit të Ankesave, organ pranë AMA-s.