Viktor Malaj
Vendosja e disa tarifave për t’u paguar gjatë kalimit nëpër rrugën Kukës-Tiranë, si rezultat i një koncesioni për mirëmbajtjen e saj, shërbeu si shkëndijë që disa shtetas shqiptarë, këtej dhe andej kufirit me Kosovën, të dilnin në një protestë e cila duket qartë që ka disa aspekte dhe karakteristika domethënëse.
Siç dihet, koncesionet janë forma të bashkëpunimit qeveri-biznes në sistemin kapitalist ku noton edhe Shqipëria prej 28 vitesh.
Gjithnjë kam pasur dhe ende kam një ndjenjë mospajtuese me koncesionet pasi jam i bindur që edhe koncesioni më “i ndershëm” i ngjan një martese të padenjë, megjithëse nuk të lë pa grua.
Nuk kam asnjë dyshim se qeveria aktuale dhe, veçanërisht, Kryeministri Rama kanë një prirje deri në tepri ndaj koncesioneve.
Unë besoj fort se dhënia e shërbimeve të ndryshme me koncesion duhet të jetë një përjashtim, por kurrsesi rregull dhe duhet të zbatohet vetëm për gjëra të domosdoshme për të cilat nuk ka mundësi tjetër.
Në rastin konkret, dhënia me koncesion e rrugës së lartpërmendur është brenda “moralit” të sistemit politik dhe shtyhet nga rrethanat aktuale ekonomiko-financiare të qeverisë dhe domosdoshmëria për të mos lejuar degradimin e mëtejshëm të një rruge shumë të rëndësishme.
E keqja e marrëveshjes koncesionare në fjalë qëndron në hollësitë e saj.
Mendoj se tarifat e caktuara në marrëveshje nuk duhet të jenë assesi në monedha të tjera përveç lekut. Gjithashtu mendoj se madhësia e tarifave të caktuara për t’u paguar nuk ka qenë e studiuar dhe as e menduar mirë.
Merret me mend se kompanitë pretendente për ta marrë atë me koncesion kanë bërë dhe bëjnë presion sa iu përket tarifave por, ndërsa privatët kujdesen për fitimet e veta, qeveria duhet të kujdeset për shtetasit e vet.
Në çështjen e kësaj marrëveshjeje, ashtu si edhe në jo pak veprime të tjera qeveritare, vihen re disa dukuri jo të mira që po formësohen si tipare të qeverisjes.
Kryeministri Rama, ashtu si paraardhësi i tij, ka një tendencë të gabuar për të mbajtur çdo gjë në duar dhe për të dëgjuar vetëm ç’i thotë mendja e vet.
Duket qartë që ose nuk ka këshilltarët e duhur ose nuk i përfill ata. Zoti Rama duhet të dijë mirë se ka ministra dhe dhjetëra drejtorë drejtorish që janë të padenjë për detyrat e ngarkuara dhe që merren gjatë me punët e veta dhe fare shkurt me detyrat për të cilat paguhen.
Marrëveshjet koncesionare, ashtu si të gjitha nismat qeveritare që lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme të qytetarëve, duhen paraprirë me një studim dhe konsultim që del jashtë kornizave qeveritare.
Ku janë zyrat juridike të dikastereve qeveritare? I parë problemi nga ky këndvështrim, mendoj se marrëveshjes në fjalë i duhen bërë disa ndreqje dhe duhet të përmbajë hollësi që rregullojnë interesat e personave që rrugën në fjalë e përdorin më shpesh dhe nuk kanë rrugëdalje tjetër.
Duke pasur parasysh sa më sipër, çdo ndjenjë mospajtimi me tarifat e vëna dhe çdo protestë paqësore që shpreh kundërshtinë ndaj marrëveshjes është brenda kufijve moralë, socialë dhe ligjor.
E ashtuquajtura protestë e bërë të dielën në Kalimash kishte disa karakteristika që zhvlerësojnë moralin dhe ligjshmërinë e saj.
Duket qartë që ajo s’ka qenë një shprehje spontane e zemërimit dhe mospajtimit me tarifat, por ka qenë një parapërgatitje e fshehtë i një grupi njerëzish të periferisë për interesat e ngushta të një grushti politikanësh pa din e iman të cilët, si gjithnjë, kanë qenë dhe janë të gatshëm t’i vënë flakën Shqipërisë për të arritur synimet e veta pushtetmarrëse ose për t’u mbrojtur nga çdo ndëshkim ndaj vargut fort të gjatë të mëkateve dhe krimeve që kanë kryer tash 28 vjet.
Ndoshta më shumë se gjysma e protestuesve ishin banorë të disa fshatrave të Kukësit që mund të mos kenë fare makinë dhe, rrjedhimisht, nuk cenoheshin nga tarifat e vëna.
Një pjesë jo e vogël e tyre, që përbënin edhe bërthamën e dhunshme, vinin nga bota e krimit si hajdutë, trafikantë droge, autorë aktesh terroriste të 14 shtatorit 1998 etj.
Janë një kontingjent lehtësisht i manipulueshëm dhe i keqpërdorur prej politikës qysh kur “nëna polli bijat” e saj në 1990. Tipari më i keq dhe i kundërligjshëm i protestës ishte shndërrimi i saj në të dhunshme, duke thyer dhe djegur objekte me vlerë që i përkasin kompanisë koncesionare.
Qëndrimi i forcave të rendit ka qenë më tepër se ç’duhet lëshues (tolerant) dhe etiketimi i tyre si “falanga të qeverisë” nga disa gangsterë politikë është dëshmi e moralit të këtyre ordinerëve, pa të cilët nuk bën dot politika që zbaton Berisha që në nisje të karrierës së tij.
Askund në botën e qytetëruar shteti nuk lejon protestuesit të godasin forcat e rendit dhe, aq më pak, të shkatërrojnë dhe djegin objektet shtetërore apo private qofshin.
Të ngazëllyer nga flakët dhe tymi i zjarrit që kishin ndezur vetë, politikanët kryesorë të opozitës u shfaqën në skenë njëri pas tjetrit duke bërë avokatin e krimeve të kryer dhe duke derdhur lot krokodili për hallet e popullit “të varfëruar nga kjo qeveri”.
Ata që me moralin e tyre, me sjelljet dhe qeverisjet e tyre i kanë sjellë kaq dëme popullit shqiptar u vunë në garë se kush duket më popullor dhe atdhetar.
Hipokrizia dhe pafytyrësia nuk njohin kufij këtej nga anët tona dhe vazhdojnë të rriten pikërisht sepse kanë gjetur klimë të përshtatshme zhvillimi, klimë që është krijuar nga mbështetja që iu japin kokat boshe dhe ato djallëzore të jo pak njerëzve pa ide dhe pa ideale.
Ata që janë gjetur ligjërisht si autorë dhe shkaktarë të zhdukjes së 230 milion eurove nga xhepi i përbashkët i shqiptarëve (buxheti i shtetit) gjatë ndërtimit jashtë standardeve të kësaj rruge, vajtojnë humbjen e pesë eurove nga xhepat tanë të mbledhur e shpenzuar për ndreqjen dhe mirëmbajtjen e saj; ata që janë kapur me zë e figurë duke planifikuar marrjen e qindra mijëra eurove nga buxheti i shtetit për xhepat e tyre betohen tani se do të kërkojnë “jo vetëm lirimin e tyre (të autorëve të djegieve- V.M ), por edhe rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur nga falangat e qeverisë”; ata që patën rrahur, plagosur dhe vrarë protestues jo shumë kohë më parë, që i patën etiketuar ata si “kokëpalarë”, që patën burgosur protestues dhe rrëmbyer gazetarë apo qytetarë duke i torturuar pas Malit të Dajtit, klithin tani për “dhunën barbare ndaj protestuesve” dhe na ngazëllejnë me ligjërimin e tyre antikomunisto-horrist.
“Sado të përpiqen bashkëpunëtorët dhe pinjollët e komunizmit, i kanë të shënjuara thellë në ndërgjegje metodat staliniste”, thonë; ata, të cilët qysh se u shfaqën në skenën politike shqiptare nxitën, udhëhoqën dhe përkrahën vjedhjen, shkatërrimin dhe djegien e fabrikave, uzinave, kombinateve, pyjeve, vreshtave e minierave, që patën shkuar dëm nga buxheti i shtetit miliona euro me prishjen e mbikalimit tek Zogu i Zi dhe miliona të tjerë nga koncesionet me CEZ-in, naftën etj. marrin tani pozat e mbrojtësve të interesave popullore, sidomos të të varfërve; ata që para pak viteve kishin bërë studimin dhe përgatitur dhënien e kësaj rruge me koncesion, me tarifa edhe më të larta, por hoqën dorë pasi nuk gjetën kompani të interesuara, përpiqen tani ta paraqesin marrëveshjen koncesionare si aferë vjedhjeje që i shpije paratë e mbledhura në xhepat e Kryeministrit; ata që kanë kapur për fyti drejtësinë dhe që kanë burgosur njerëz të pafajshëm, madje edhe ish-liderin e opozitës, dhe që vetë kanë shpëtuar nga ndëshkimi për shumë krime të kryer, tani sulmojnë Kryeprokuroren e Përgjithshme si njeri me “të shkuar të njollosur nga kufizime të padrejta të lirisë së qytetarëve”, kur dihet se të arrestuar të mban gjykata dhe jo prokuroria.
Si edhe herë të tjera, manipuluesit e turmave dhe sharlatanët e sprovuar rrëmbyen edhe flamurin e atdhetarëve dhe u përpoqën ta shesin kontratën koncesionare si “akt antikombëtar” sepse dëmton “vëllezërit tanë kosovarë”.
Ky është vetëm një akt nga Teatri i Maskarenjve. Ata që furnizonin dikur me naftë Serbinë dhe që më vonë nënshkruan një marrëveshje antikombëtare me Greqinë na hiqen tani si të përvëluar për “kombëtarizimin”.
Këta njerëz të pasuruar materialisht dhe të varfëruar moralisht shkojnë deri aty sa pohimin e drejtë të Ramës se nuk kishte arsye për t’u konsultuar me qeverinë kosovare për një marrëveshje që nuk kalon kufijtë e RSH, na e paraqesin si “… përçmim për shqiptarët e Kosovës… një shprehje e qartë e antikosovarizmit të tij…”.
Frymëzuesit dhe organizatorët e protestës së dhunshme dolën hapur, jo vetëm në mbrojtje të akteve kriminale, por arritën deri aty sa dërguan tek Drejtoria e Policisë së Tiranës një çetë deputetësh pa dinjitet të cilët u përpoqën të shërbenin si pararojë e një grupi individësh laramanë për të hyrë brenda ambienteve të godinës së policisë. Jam çuditur me durimin e tepruar të oficerëve të policisë që i lejuan këta gangsterë me imunitet t’i fyenin, kërcënonin dhe t’iu tregonin ligjin.
Kur deputeti bëhet njësh me shkelësit e ligjit dhe iu paraprin atyre ai duhet trajtuar njëlloj si ata.
Askund në botën perëndimore nuk lejohen protestuesit të hyjnë në ambientet e policisë ndërsa përfaqësuesit e denjë të popullit, dhe jo halabakët e tipit Ndoka, Balliu e Strazimiri, kur duan të takohen me autoritetet e policisë, paraqiten tek oficeri i rojës, prezantohen me dokumentet identifikues, shprehin kërkesën për takim dhe presin përgjigjen.
Kur këta halabakë iu paraprijnë forcërisht protestuesve të dhunshëm për t’u futur brenda godinës policore, ata duhen trajtuar si çdo shkelës i ligjit.
Avokatia e pamoralshme e akteve të dhunës në Kalimash dhe e autorëve të tyre mori trajta sa antiligjore e të trasha aq edhe djallëzore.
Një ish-ministër teknik i qershorit të kaluar, pasi shprehu “mirënjohje dhe vetëm respekt për ta”, u përpoq ta konsiderojë antikushtetuese vënien para përgjegjësisë ligjore të zjarrvënësve dhe pohoi se “Qytetarët morën nën zotërim pronën e tyre publike dhe këtu s’ka asnjë shkelje…”.
Me këtë logjikë dhe moral i bije që nesër, kushdo mund të zaptojë rrugë, ura, porte, aeroporte etj. dhe të pretendojë se po merr në zotërim pronën publike. Prona publike administrohet nga shteti dhe jo nga vagabondët e rrugës dhe as nga mbështetësit e tyre, banditë në politikë.
Si do t’i dukej këtij farë burri nëse nesër, disa të tjerë do zaptonin me forcë shtëpitë dhe pronat e Berishës, Bashës, Kryemadhit etj. me pretekstin se do t’i bëjmë “pronë publike”, pasi janë të njohura botërisht që janë produkte të korrupsionit dhe na i kanë borxh?
Politikanët kryesorë të opozitës dënuan në kor “dhunën barbare ndaj protestuesve”, por ose heshtën ose e miratuan dhunën e elementëve vandalë ndaj objekteve private në Kalimash. Shpresat e tyre për t’u rikthyer në pushtet nëpërmjet manipulimit të njerëzve dhe akteve të dhunës i kanë shtyrë në përsëritjen e skenarëve të tyre të hershëm, por që sot nuk kanë kurrfarë shansesh të realizohen.
Duke përdorur si pretekst “shkëndijën” që ndezën vetë, tani janë shprehur unanimë për “mosbindje civile”, për bllokime rrugësh e mospagime taksash, shkurt për kaos dhe dhunë.
Në të vërtetë këta kanë që nga fillimet e tyre që demonstrojnë mosbindje civile: këta nuk i janë bindur kurrë vullnetit të popullit që ka kërkuar të largohen nga pushteti apo të mos vijnë në pushtet, nuk iu janë bindur kurrë ligjeve të shtetit as atëherë kur janë thirrur të paraqiten në organet e hetimit dhe gjykimit si dëshmitarë apo të akuzuar për krime monstruoze dhe as atëherë kur akuzonin të tjerët për vepra penale, nuk i janë bindur as moralit dhe as interesave të popullit mbi kurrizin e të cilit kanë bërë çfarë u ka dashur qejfi duke u bërë edhe milionerë.
Dhe sot këta shpirtzbrazur e xhepaplotë përgjërohen se iu qan zemra për të varfrit, për të varfrit e mbetur të tillë prej politikës dhe moralit të tyre.
Po, pse sillen dhe veprojnë kështu tani kjo çetë mëkatarësh të hershëm e të rinj, kurrë të penduar dhe asnjëherë të ndëshkuar për bëmat e tyre?
Siç e ka pohuar para pak kohësh udhëheqësi i tyre real, i cili pardje i ra tavolinës në mbledhje me ta për të treguar se ai mbetet i pari i tyre, ata janë të bindur se “Me zgjedhje nuk mund të vijmë në pushtet….
Duhet të bëhet një përpjekje shumë e madhe për të elektrizuar rininë shqiptare, angazhuar atë në një betejë si rruga e vetme për të përmbysur këtë klikë në pushtet, e cila, pa revolucion nuk ikën” (S. Berisha). Synimi i tyre është që të ushtrojnë dhunë dhe të krijojnë kaos në prag të shqyrtimit dhe votimit të BE për çeljen e negociatave për pranimin e Shqipërisë në të.
Në deklaratën e para pak ditëve të bërë nga dyshja tërësisht e padenjë për pushtet Basha-Kryemadhi shprehej një dakordësi e thatë për hapjen e negociatave me BE-në dhe pastaj pohohej se kushtet themelore të BE-së nuk janë plotësuar.
Pra, fjalët e thata ishin për të gënjyer shqiptarët se gjoja ata janë për përparimin e vendit drejt BE-së ndërsa ligjërimi tjetër, shumë më i gjatë, iu thoshte qeverive evropiane që “kur nuk mendojmë ne se i plotësojmë kushtet si mundet të bini ju dakord për këtë?”.
Të gjitha këto veprime synojnë destabilizimin e vendit dhe rikthimin e tyre në pushtet për të na dhuruar maskaradën dhe rrumpallën e dikurshme. Shumica e ideatorëve të kësaj politike janë autorët e “krimeve të tmerrshme të kryer pas 1990”, siç qe shprehur ambasadori amerikan Donald Lu dhe prandaj ata bëjnë çmos për t’i shpëtuar ndëshkimeve.
Dhe e vetmja rrugë për ta realizuar këtë është rikthimi në pushtet, devijimi i Reformës në Drejtësi në shërbim të mosndëshkimit të tyre dhe pastaj “shirja në lëmë” si dinë vetë.
Njerëz të cilët, për sjellje dhe veprime të tyre të mëparshme si të “atdhetarëve” tanë, do të kishin qenë në burg në çdo vend perëndimor, këtu tek ne predikojnë moral dhe tundin flamurin si shpëtimtarë të kombit.
Politikat dhe aktet qeveritare, nëse konsiderohen të gabuara, luftohen në Parlament dhe çdo qeveri paguan për gabimet dhe të metat e saj ditën e zgjedhjeve.
Qeverisjet nuk luftohen duke bllokuar rrugët apo mospaguar taksat por duke bindur votuesit e ardhshëm t’i braktisin pushtetmbajtësit. Me dhunë dhe kaos mund të pengohet përparimi i vendit dhe pasojat do të bien mbi popullin ndërsa ideatorët e destabilitetit do të shtonin milionat e vënë ndër vite.
Prandaj shumica e popullit shqiptar duhet të ndërgjegjësohet dhe të mos bjerë viktimë e mashtruesve të pandreqshëm dhe të sprovuar.
Përveç tufës partiake që ka moralin dhe dinjitetin e “Bacës”, këta pehlivanë dhe sharlatanë politikë ndihmohen në synimet e tyre edhe nga disa individë mediatikë pa ideal dhe as moral të cilët, thjesht për interesat e veta financiare dhe pasionet e tyre anti-Rama, kanë gati dy vjet që bëjnë thirrje për dhunë, djegie ndërtesash dhe vendosje dinamiti, shkurt për akte kriminale terroriste.
Ata, ndërsa janë vetë oligarkë, punojnë për oligarkët apo paguhen prej tyre, shprehin përditë “neverinë” për oligarkët me të cilët lidhet Kryeministri dhe bëjnë thirrje për “tërheqje zvarrë nga zyrat” të njerëzve të zgjedhur.
Pa përfillur kushtetutën dhe ligjet, të njëjtët bëjnë thirrje për të kryer akte kriminale që të mundësojnë largimin e dhunshëm të atyre që në pushtet kanë ardhur me votë.
Nuk do të ishte as keq dhe as gabim që disa prej tyre, të cilët prej dy vitesh këmbëngulin në nxitjen e akteve terroriste, t’iu bëhej ndonjë padi penale në mënyrë që të kuptojnë se liria e fjalës askund në botë nuk e përfshin lirinë për thirrje për akte terroriste apo veprime të tjera kriminale.
Nuk mund dhe as duhet lejuar që vullneti, paqja dhe normaliteti demokratik i shumicës së shqiptarëve të nëpërkëmben dhe tjetërsohen për shkak të interesave të një grushti horrash politikë e mediatikë, vazhdimisht të pasuruar por përjetësisht të pangopur, shumë shpesh të inkriminuar por asnjëherë të ndëshkuar dhe tani të frikësuar dhe acaruar.
Pakënaqësitë ndaj qeverisjes duhet të shprehen me të gjitha format kushtetuese por kur ato kalojnë në dhunë duhen ndëshkuar.
Dhe, më së pari, duhen ndëshkuar ideatorët dhe frymëzuesit e dhunës dhe kaosit. Nëse ambasadori Lu ” nuk i di ” peshqit e mëdhenj dhe mëkatarët e vjetër, ta hedhë ” grepin ” së pari në liqenin e zhurmëbërësve dhe kaossjellësve të sotëm dhe kështu do iu bëjë një shërbim të madh popullit shqiptar si dhe prestigjit të shtetit që përfaqëson përndryshe ” nga e thëna në të bërë shkon në mes një lumë i tërë “.(DITA)