Institucioneve të vettingut u janë shtuar fonde nga Qeveria. Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka vendosur një shtesë fondi prej 18 milionë lekësh të ndarë për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerin Publik.
Në këtë fond nuk janë përfshirë ato që rrjedhin nga ngritja e SPAK, strukturë për të cilën qeveria ka miratuar buxhet më vete pak kohë më parë.
Në vendimin e Qeverisë janë marrë parasysh kriteret e ngarkesës së punës dhe në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave u vendos që institucioneve të sistemit të Drejtësisë, në grupin buxhetor numër 63, në shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin e vitit 2019, i shtohet fondi i përgjithshëm prej 18 milionë lekësh, i detajuar në programet buxhetore, si më poshtë vijon 9 milionë lekë për KPK, 2 milionë lekë për KPA dhe 7 milionë për Komisionerin Publik.
“Institucioneve të sistemit të drejtësisë, në grupin buxhetor nr.63, në shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin e vitit 2019, i shtohet fondi i përgjithshëm prej 18 0000 000 (tetëmbëdhjetë milionë) lekësh, i detajuar në programet buxhetore, si më poshtë vijon:
a) 9 000 000 (nëntë milionë) lekë në programin “Veprimtaria e rivlerësimit kalimtar të magjistratit”;
b) 2 000 000 (dy milionë) lekë në programin “Veprimtaria e apelimit të rivlerësimit kalimtar;
c) 7 000 000 (shtatë milionë) lekë në programin “Veprimtaria e Komisionerit Publik”.
Fondi i përcaktuar në pikën 1, të vendimit, të përballohet nga fondi rezervë i institucioneve të sistemit të drejtësisë për vitin 2019.
Ngarkohen Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisionerët Publikë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi”, shkruhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.