Çka dimë më shumë për Podgoricën përveç faktit që është kryeqyteti i shtetit fqinj?
Të vjetrit e dinë se në kohë të Jugosllavisë, kryeqyteti i sotëm i Malit të Zi quhej ‘Qyteti i Titos’ (serbokroatisht Titograd), emërtim që e mbajti deri në vitin 1992.
Për specialistët e historisë së vjetër hapësira e Podgoricës ishte trualli i qyteteve ilire Birziminium dhe Doklea (prej nga mori emrin edhe fisi i dokleatëve).
Në motet më të reja, Podgorica në vitin 1864 ishte një kaza e Vilajetit të Shkodrës, kurse me vendim të Kongresit të Berlinit në kundërshtim me vullnetin e banorëve të qytezës u bë pjesë e Mbretërisë së Malit të Zi.
Për një udhëtar që vinte nga Cetinja, Podgorica ishte qyteti i parë që zbardhonte me veshjet tipike shqiptare.
“Nga Cetina ne shkuam në Podgoricë ku për herë të parë pashë shqiptarët. Podgorica buiste prej tyre, të gjithë në petkat e tyre kombëtare, meqenëse Mali i Zi ende nuk kishte filluar shtypjen e kësaj”, shkruan udhëtarja e pasionuar britanike Mary Edith Durham.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit në memorandumet që i telegrafonte Fuqive të Mëdha përmendte shpesh edhe padrejtësinë e cedimit të Podgoricës.
Në vitin 1880, banorët e kësaj qyteze përmes një memorandumi zëronin kundërshtimin e tyre për të pranuar zgjedhën e Cetinës.
Është befasuese se malazezët në këtë kohë mund të numëroheshin me gishta.
“Banorët e Ulqinit kundërshtuan rreptë cedimin, siç bënë edhe ata të Podgoricës, e cila në vitin 1880 kishte vetëm tridhjetë banorë malazezë”, tregon Miranda Vickers, një njohëse e denjë e historisë shqiptare të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
137 vite më vonë, raporti demografik në Podgoricë ka ndryshuar kryekreje.
Në qytetin që dikur zbardhonte prej larg nga plisat e shqiptarëve, shqipja sot është thuajse pranë shuarjes së plotë.
Sipas shënimeve të regjistrimit të vitit 2011, nga 150 mijë 977 banorë sa jetojnë brenda në qytet (pa numëruar komunat periferike të Tuzit dhe Golubovcit), vetëm 1404 janë deklaruar shqiptarë ose rreth 1 % e popullatës së përgjithshme.