Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e quan të nxituar takimin trepalësh të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Ohër.
Sipas Albin Kurtit, Shqipëria zyrtare duhej të priste të formohej qeveria e re e Kosovës e jo të nxitohet me takime në Novi Sad e Ohër.
Kandidati për Kryeministër në Kosovë beson se projekte të tilla, Shqipëria duhet t’i niste me Kosovën dhe jo me Serbinë.
“Një lloj vrapi në Novi Sad dhe në Shkup është gabim në hapa. Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri, vazhdon Kroaci-Bullgari, vazhdon Sarajevë zyrtare, Podgoricë zyrtare, Shkup zyrtar e Beogradi në fund.
Sepse i tillë, çfarë është ai i papenduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara në flirtim të vazhdueshëm me Moskën e Putinit, nuk mund të ketë.
Rrjedhimisht, mendoj që edhe mbledhja e Novi Sadit, edhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa. Shqipëria zyrtare u ankua se nuk ka pasur qeveri të denjë në Kosovë, për bashkëpunim çfarë ajo ka dashur dhe ka qenë e nevojshme për të gjithë ne.
Meqenëse ka pritur Shqipëria zyrtare për një qeveri të denjë të Kosovës shumë vjet, ka mundur të presë edhe pak javë që të formohet kjo qeveri e të bashkëpunojmë siç dum të gjithë ne. Unë nuk e kuptoj pse kjo nguti, pse ky nxitim me Novi Sad e me Ohër e nesër në Durrës, kur jemi në prag të formimit të qeverisë së Kosovës.
Nëse kanë pritur shumë vite, është dashur të presin edhe pak javë”, u shpreh Kurti. Kreu i Vetëvendosjes pritet të bëhet Kryeministër i Kosovës dhe është në pritje të rinumërimit të fundit të votave dhe shqyrtimeve të ankesave nga Gjykata Supreme e Kosovës.
“Tash e ka fjalën Gjykata Supreme dhe i kanë ngelur diku 48 orë asaj që më së largu të marrë vendimin meritor për çështjet e ngritura. Për këto nuk është e përshtatshme që të flas unë tash”, tha Kurti.