Qeveria ka vendosur të verifikojë paraprakisht të gjithë punonjësit që do të emërohen në pozicione të shërbimit civil, trupin diplomatik, si dhe në çdo nivel drejtues në administratën publike. Verifikimi i integritetit të kandidatëve për vende pune dhe në vijimësi integritetin e punonjësve, në administratën publike vjen si parakusht për parandalimin e korrupsionit dhe kjo është parashikuar nga Departamenti i Administratës Publike.
Në raportin e këtij institucioni për vitin 2017, depozituar në Kuvend, thuhet se janë organizuar një seri kursesh trajnimi me fokus rritjen e integritetit të nëpunësit publik dhe parandalimin e korrupsionit për nëpunësit e administratës vendore në funksionet e audituesit, prokurimeve publike, kontrollit të brendshëm, koordinatorit për të drejtën e informimit.
Gjatë vitit 2017, në zbatim të programit të qeverisë për një qeveri që fokusohet te qytetarët, ka vijuar procesi i rishikimit funksional dhe strukturor për të gjitha ministritë e linjës dhe institucionet e varësisë në sistemet përkatëse me qëllim: identifikimin e rasteve ku ka nevojë që të eliminohen mbivendosjet funksionale midis strukturave ekzistuese; identifikimin e rasteve ku ka nevojë të rishikohet funksioni, roli dhe organizimi strukturor i institucioneve; shqyrtimin e rasteve ku shihet i nevojshëm bashkimi i dy apo më shumë institucioneve, apo krijimi i institucioneve të reja; shqyrtimin e rasteve kur është e nevojshme që për institucionet të ndryshojë pozicionimi i tyre.
Pas përfundimit të zgjedhjeve të vitit 2017, bazuar në kërkesën qytetare dhe nevojën qeverisëse, kryeministri Edi Rama kërkoi ndërhyrjen për ristrukturimin e mënyrës së organizimit funksional të sistemit të qeverisjes në përgjithësi dhe atij të ministrive në veçanti. Ristrukturimi, synoi t’i jepte përgjigje: Nevojës që buronte nga ndryshimet në strukturën dhe fushat e reja të përgjegjësisë së ministrive (kabineti i ri qeveritar përbëhet tashmë nga 11 ministri dhe dy ministra shteti, në krahasim me 16 ministri dhe 3 ministra shteti në 4 vjeçarin e kaluar); Problematikave të identifikuara në 4 vjeçarin e parë të qeverisjes, si dhe; Integrimit të ekipit qeverisës horizontalisht dhe vertikalisht, në një sistem të integruar të qeverisjes. Si rezultat i miratimit të strukturave të Kryeministrisë dhe ministrive të linjës sipas parimeve si më sipër, rezultoi se numri i përgjithshëm i pozicioneve u shkurtua me 366 veta ose 15%, shkruan “Sot”.
Reforma, nga ministritë në institucionet vartëse
Nëse vitin e kaluar, ishin Kryeministria dhe ministritë ato që u shkundën nga reforma funksional strukturore, gjatë vitit 2018 synohet të kryhet rishikimi funksional strukturor i institucioneve të administratës shtetërore, në drejtim të përcaktimit të tipologjisë së institucioneve dhe metodologjisë së vlerësimit të performancës së tyre në vijim; identifikimit të rasteve ku ka nevojë që të eliminohen mbivendosjet funksionale midis strukturave ekzistuese; identifikimit të rasteve ku ka nevojë të rishikohet funksioni, roli dhe organizimi strukturor i institucioneve; shqyrtimit të rasteve ku shihet i nevojshëm bashkimi i dy apo më shumë institucioneve, apo krijimi i institucioneve të reja; shqyrtimit të rasteve kur është e nevojshme që për institucionet të ndryshojë pozicionimi i tyre.