Nga Anri Bala
A i patë se si tentuan të tallnin kuksianët dhe të gjithë shqiptarët vulëhumburit e opozitës së vetmuar?! A i patë, se si një ditë më parë, mezi pritën të sulmonin me shqelma dhe të shqyenin dyert e gjykatës, e me duar në fytin e policëve të rendit, tentuan të paturp të rrëmbenin flamurin e protestës, atë të “fitores” së kuksianëve dhe jo shëtitjet e tyre “turistike” në bulevard?!
Protesta e tyre qesharake, u zhvillua dhe përfundoi sot, si të gjithë protestat e tjera të “turistit hollandez” në autostradë apo bulevard, ku ky “bojalli”, i veshur me pantallona doku e këmishë fanellatë ngjyrë qielli, si “fakir-fukara” për të të ardhur keq, u tregon barsaleta të pranishmëve.
Kryegaztori i SHQUP-it, përfitoi nga situata të “rrezitet” buzë autostradës, i qeshur dhe i relaksuar, duke hedhur batuta, a thua se ishte me shokët e pallatit tek ish-Kovalishenca, në Durrës. Krahëhapur dhe me fytyrë të qeshur, hidhte batuta e sillej si “Mesia”… e i gëzohej shpirti duke menduar, se kishte vjedhur kauzën e kuksianëve, e do mundte të mbante frymën gjallë në parti, në kurriz të atyre që dolën jashtë dhe atyre që mbetën brenda… qelisë!
Qeshte “mavria”, se nuk guxonte të qante, kur i thanë tek veshi, se kryeministri hokatar, i’a kishte ndërprerë hovin protestës me “flamur pirati” dhe jo demokratësh, fill para se të fillonte… duke i dhënë të drejtë qytetarëve kuksianë, se tarifa e Rrugës së Kombit ishte një veprim i nxituar, i padiskutuar me koncesionarin dhe shteti me qytetarët, duke sjellë pezullimin e kësaj tarife, deri në një zgjidhje më të mirë, për rrugën, qytetarët, bizneset dhe grupet e interesit… me një ndjesë për të gjithë!
Opozita është e vetmuar e të gjithë i qëndrojnë larg… sepse është e prekur nga politiko-lebroza, sëmundje ngjitëse e pashërueshme karrigesh! Mirëpo, si e sëmurë rëndë, nuk është se harron, por akoma shpreson dhe vrapon lartë e poshtë e poshtë e lartë, për tu kacavjerrur në ferra e gjemba, që të gjakosin dhe nuk i prek dot. Kështu, nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të zbythet aty ku nuk ka b*thë të ngjitet, ndaj bëhet qesharake me “tollovitjet e saj”, sikurse ka ndodhur.
Pse, kujtoni se e ka harruar poshtërimin nga protestuesit e Zharrzës, që gaztori shkoi për tu ulur në “hallin” e tyre si “tata në sofër”, e nuk i lanë gjë pa sharë e ngarë, duke e përzënë me bisht ndërshalë?! Pse, i ka harruar udhëheqësi i madh, shpullat dhe pështymat, që i dhanë në mes të bulevardit qytetarët e Tiranës, kur shkoi si kopil të ulej në mes të protestuesve për armët kimike?! Nuk besojmë, se gaztori i ka harruar qytetarët tek ish-stacioni i trenit, që i mashtroi dhe as nuk guxoi tu afrohej, por dërgoi Palokun, që duke u ndjerë i ofenduar, u fut në “ring” për tu përleshur me ta?!
Gjithë qytetarët e këtij vendi janë njësoj, e nuk mund të ndryshonin as protestuesit e Rrugës së Kombit, që i’a vunë “kufirin tek thana”, të gjithë njerëzve me “maskën e të mërziturit” për hallin e tyre. Por sot, mashtruesi me guximin e të marrit, tentoi tu merrte flamurin e protestës, për ta vendosur tek ndërtesa e SHQUP-it! Pasi e ngritën për prapanice “betoni në beton”, në pak minuta i ranë brekët!
Kjo nuk na gëzon, sepse opozita e munguar është fatkeqësi për ne njerëzit pa thasë dhe me qese të shpuar. Ky është një tra edhe më i madh e më i rëndë, që duhet ta paguajmë, e për të thënë faleminderit… edhe kur na rrahin!/Tellalli