Nga Artan Xh. Duka
Protestat tek ne, edhe kur qëndrojnë, paragjykohen ose manipulohen rëndom nga politika. Në Kukës u ngrit një shqetësim qytetar dhe pavarësisht pështjellimit dhe tensionimit deri në Tiranë, qeveria duhet të reagojë me qetësi për thelbin e problemit sikurse opozita nuk ka pse merr kot e të sokëllijë për mosbindje civile.
Gjueti “kauzash”
Konçesionet janë pjesë e ekonomisë së tregut dhe debati për tarifën e rrugës duhet të ishte gjithëpërfshirës dhe transparent duke marrë parasysh nivelin ekonomik problematik në vend. Perëndimi ka plot përvoja dhe mjafton vullneti politik. Nuk është fjala thjesht për një tarifë rruge në kuadrin e konçesiono-manisë së tranzicionit (shumë të tilla mund t’i bëjë shteti dhe paraja mbetet tek publiku) por tek varfëria kronike në vend.
Njerëzit po mbijetojnë ndërkohë që kanë nevojë për ndihmë sociale dinjitoze dhe rroga reale, fonde monetare këto që sërish do të ri-qarkullohen në tregun vendas duke kontribuar në ekonomi (përkundrejt parasë së korrupsionit e rrogave elitare që del edhe jashtë). Ndërkohë, nëse qeveria sipas opozitës, po ia bën borxh qytetarit në përgjithësi, reagimi është protesta paqësore, media, gjykata dhe vota. Nuk ka rrugë tjetër në demokraci e të flasësh për pabindje civile është të paragjykosh tre dekada rrugëtim demokratik dhe partneritet me perëndimin.
Pabindja civile është reagim ndaj autokracisë dhe si paradhomë anarkie mbetet thikë me dy presa për të gjithë por ky nuk është rasti ynë dhe përpjekja donkishoteske e PD-LSI po provokon destabilitet në një moment historik për integrimin tonë europian dhe zbatimin e drejtësisë. Përveçse diskretituese dhe e pashpresë për të shmangur drejtësinë, ajo po nëpërkëmb dhe vetë interesin e vetë qytetarit, qoftë duke sfumuar vëmendjen nga problemi fillestar, ose duke premtuar të paqëna e ngritur mendjen kot.
PD e LSI e kanë humbur toruan nga drejtësia dhe me shpresën se do të mund të shtyjnë dhe ca kohë, shohin tek çdo sebep “kauza” afatgjata – park fëmijësh tek liqeni, rrahja e një deputeti, tenta në bulevard për votime të pazhvilluara ende(!), tarifa e rrugës etj. Një mjerim ekstrem opozitar, pa moral dhe kauzë bashkë (se dhe kjo rrugë e kombit është pretencë dhe jo avokati për të).
Një ftesë për pabindje civile kjo kur ndërkohë nuk po ndodhin as piramida financiare, nuk po vidhen kuti votimi e rrihen deputetë në shesh, nuk po u merret jeta protestuesve paqësor … Me apo pa pabindjen civile, rruga sërish do të mirëmbahet dhe dikush do fusë dorën në xhep dhe, edhe nëse qeveria dorëhiqet, gjasat janë që dhe me zgjedhje të parakohshme sërish PD e bishtat e saj të mbeten në opozitë se pesë vjet në opozitë janë po ata në krye që u votuan jashtë qeverisë në 2013.
Pabindje në emër të “xhepit”!
Nga kjo pabindje civile qesharake e tragjike njëkohësisht, nuk fiton askush; gjërat vetëm spostohen në kohë me kosto shtesë për të gjithë. Por në kontekstin historik mund të humbasim të gjithë – çelja e negociatave me BE, problemet në Kosovë, negociatat me Greqinë, trysnia ruse dhe kineze në rajon etj (bota është sot një “katund” i vogël dhe përplasjet gjeopolitike janë tepër komplekse dhe “rastësitë” po ashtu).
BE sot e ka rritur numrin e “lupës” ndaj standardit demokratik dhe një pabindje civile grafike dhe e sajuar alla PD-LSI, do të alarmonte BE që sheh se tek ne ende opozita mbetet “kobure” dhe nuk e ka për gjë opsionin “nuklear” që është i papranueshëm për BE. E sa do i madh shqetësimi nga ndikimi rus, BE do të mendohej dy herë para se hapte derën për ne duke mbetur “dele e zezë” në rajon.
Jo se kemi gjë me popujt, përkundrazi, një brez i tërë ruan plot kujtime të mira për miqësinë dhe respektin reciprok me popullin rus dhe historikisht, ndonëse 1913 ishte produkt edhe i pansllavizmit që ka dëmtuar më pas disa herë interesin shqiptar (ndonëse BS e denoncoi atë traktat), ne nuk jemi mosmirënjohës të mos vlerësojmë luftën e Ushtrisë së Kuqe, shkollimin e qindra e mijëra kuadrove në BS, investimet në ekonomi, ndalimin e divizioneve jugosllave etj.
Por identiteti ynë është perëndimor dhe perëndimi është ai që është edhe falë kontributit të të parëve tanë në shekuj. Dhe hapi që presim të gjithë është çelja e negociatave me BE që do garantojë investime dhe më shumë të drejta qytetare dhe monitorim demokratik prej BE në vend. PD e LSI nuk janë naivë dhe nëse kanë hallin e popullit, e dinë që pabindja civile veç na shtyn më larg BE (të kundërtën bëri PS për NATO ndonëse me Gërdecin nëpër këmbë). E bëjnë qëllimisht!
Mosçelja e negociatave do të komplikonte artificialisht gjeopolitikën në rajon. Serbia do të rriste distancën dhe vendi do të ekspozohej ndaj investimeve të të tretëve që nuk ndajnë bashkësi vlerash me perëndimin dhe nuk kanë prioritet interesin shqiptar në rajon (edhe sikur të mos kenë gjë kundër nesh, me “rregull treshi” qoftë Kina apo Rusia nuk janë pro kauzës shqiptare sepse e kanë bërë zgjedhjen e tyre historike me Serbinë dhe në rastin e Rusisë, pansllavizmi mbetet prioritet absolut).
I vetmi partner historik për ne mbetet SHBA që edhe gjatë luftës së ftohtë, iu kundërvu sistemit tonë socialist por jo interesit tonë kombëtar (e kundërta me shtetet antishqiptare në rajon që nuk ishin thjesht kundër komunizmit shqiptar por interesit kombëtar shqiptar) e ky partneritet i çmuar duhet respektuar pa ekuivok.
Si për një kauzë, në dukje të largët, siç është Jerusalemi kryeqytet i Izraelit si një fakt historik ashtu dhe për një kauzë tërësisht tonën siç është reforma në drejtësi që mban “vulë” amerikane, saga e së cilës, sikurse dje ajo e armëve kimike, po ri-teston vullnetin pro-amerikan të PD e bishtave rrotull që dhe kur lobon në SHBA, financimet bëhen tituj mediatik!
Dhe një pabindje civile e stisur, vetëm nëpërkëmb synimet e SHBA që Shqipëria të bëhet sa më shpejt një partner efikas përmes anëtarësimit në BE dhe konsolidimit të shtetit ligjor.
Opozita, sikurse qeveria, duhet të dëshmojë se është partnere reale e perëndimit dhe SHBA. Pabindja civile është karshillëk ndaj perëndimit ndaj dhe preçedenti i “Çadrës” me ece-jaket e zhgënjimet e emisarëve të perëndimit nuk duhet të përsëritet më.
Ndërsa në politikën e jashtme përpiqemi që dhe me kundërshtarët historikë të adoptojmë një qasje “fjalë të mirë e gur në trastë” (se kollaj gura “xhamave”), pabindja civile do të çonte direkt apo indirekt ujë në mullirin antishqiptar. Një Serbi para nesh në BE (e Rusia pas saj) do të spostonte gravitetin e rajonit dhe kushtëzonte me veto integrimin mbarëshqiptar duke ulur dhe vetë “stekën” ndaj investimeve të huaja.
Ajo ç’ka e forcon demokracinë nuk është pabindja por protesta civile që nuk ka asgjë të përbashkët me të parën. Por nëse opozita vërtet mendon se më në fund e gjeti një “kauzë” që përligj deri dhe pabindjen civile(!), të mendohet edhe njëherë se vjet u fut në çadër e nuk dilte dot! Bën mirë t’i japë vetes ca kohë.
Fiton pikë në publik e perëndim nëse “toleron” ca derisa KE të japë viston për në BE, apo aq më mirë nëse heq dorë nga marria e gomave të djegura dhe avazit këmbëkryq mbi zift. Drejtësia u ka dalë nga dora tashmë dhe vetëm sa rëndohet “thesi” më tej.
E sa për taksat, nuk na ka pushtuar i huaji (ndonëse thuhet “jepi Çezarit çfarë i takon Çezarit”) por janë para që u kthehen pas qytetarëve, përfshi edhe ata në protestë. PD e LSI t’i bëjnë një favor vetes e të mos i hipin “malit” që nuk e zbresin dot duke lënë vendin pa opozitë. Të gjithë, edhe militantët, do e mirëkuptojnë se po “toleron” për hir të integrimit në BE. Pastaj me “trenin” drejt BE, e ka një derë më shumë ku të trokasë.