Nga Taulant Dedja
Në një seancë ku për fate të keq ka munguar opozita, me 74 vota është miratuar dje në Kuvendin e Shqipërisë Ligji Për Diasporën, i pari i këtij lloji në gjithë historinë e shtetit shqiptar qysh nga krijimi. Eshtë një ditë historike për mendimin tim dhe një akt politik që meriton të vlerësohet maksimalisht.
Projekti ishte depozituar në Kuvend nga Këshilli i Ministrave në janar të këtij viti dhe ishte paraprirë nga një ligj tjetër i miratuar më 18 dhjetor 2017, pikërisht Ligji për Krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
Ligji i aprovuar dje përbëhet nga 25 nene, të cilat sipas relacionit shoqërues të Qeverisë, “përcaktojnë kompetencat e autoriteteve shtetërore përgjegjëse për marrëdhëniet me diasporën; mënyrën e mbajtjes, të forcimit dhe realizimit të lidhjeve të diasporës me vendin e origjinës; krijimin e Këshillit Koordinues të Diasporës, dhënien e çmimeve kombëtare në fushën e marrëdhënieve ndërmjet vendit të origjinës e diasporës etj.”
Ndërsa cakton datën 18 dhjetor si Ditën Kombëtare të Diasporës dhe përcakton autoritetet përgjegjëse për marrëdheniet me diasporën, ku më kryesoret janë Këshilli i Ministrave, ministri përgjegjës dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës, ligji i sapo miratuar sjell si risi edhe krijimin e qendrave kulturore për diasporën të cilat parashikohet të kenë një rol të posaçëm për sa i takon ruajtjes dhe kultivimit të identitetit kombëtar, gjuhësor e kulturor.
Një risi tjetër që vlen të veçohet dhe me interes për komunitetin shqiptaro-kanadez, por jo vetëm, është Kreu IV i Ligjit, “Organizimi i Diasporës” (nenet 17-21). Sipas dispozitave të këtij kreu, do të krijohet Këshilli Koordinues për Diasporën i cili do të ketë në përbërjen e tij 13 anëtarë sipas formulës së mëposhtme të përfaqësimit:
3 përfaqësues nga SHBA, 2 nga Kanadaja, 6 nga Evropa, 1 nga Turqia dhe 1 nga Australia.
Ligji përcakton dhe cilësitë që duhet të përmbushin këta persona me këtë formulim: “të kenë integritet të lartë dhe reputacion në komunitetin ku jetojnë; të kenë aftësi për të përmbushur detyrat për mbajtjen dhe forcimin e marredhënieve ndërmjet vendit të origjinës e diasporës si dhe të jenë përfaqësues të zgjedhur në vendet ku diaspora është e organizuar dhe ushtron veprimtarinë e saj”.
Rregullat për mënyrën e zgjedhjes së tyre do të përcaktohen me një vendim te veçantë të Qeverisë dhe siç thuhet në nenin 20, pika 4, “vendi i origjinës nuk ushtron influencë në procedurat dhe kushtet e zgjedhjes së përfaqësuesve në Këshill”. Këshilli Koordinues i Diasporës do të mblidhet si rregull një herë në vit, në Ditën Kombëtare të Diasporës.
Duket pra se është hedhur një hap shumë i rëndësishëm që vendos një bazament të ri institucional për marrëdheniet mes diasporës disa milionëshe shqiptare të shpërndarë në disa kontinente dhe shtetit amë.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë hapat e mëtejshme ku pjesa më e rëndesishme e implementimit mbetet buxheti në dispozicion, jetësimi i Agjencisë përkatëse dhe krijimi në muajt e ardhshëm i Këshillit Koordinues të Diasporës, i cili sipas gjasave do të mblidhet për herë të parë më 18 dhjetor të këtij viti.
Kujtojmë që muajin e kaluar, Kanadanë e vizitoi edhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, i cili njohu nga afër realitetin dhe vitalitetin e diasporës shqiptaro-kanadeze, një diasporë shumë e kualifikuar dhe e integruar, që ka fatin të jetojë në një shtet ku multikulturalizmi eshtë një nga themelet kryesore të tij.
Dy herë kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko, ndofta ka qenë një nga zgjedhjet më të qëlluara nga mazhoranca në funksionin që ju besua për vetë historinë që ai ka mbartur në curriculum-in e tij politik. Kryeministri i Luftës së Kosovës, në rolin e tij të ri shpresojmë që do jetë promotor i një fryme të re dhe produktive në marrëdheniet e dy shteteve shqiptare në Ballkan me Diasporën.
Le të shpresojmë gjithashtu që do hapet nje faqe e re apo thënë më qartë, të kryhet një kthese historike në këtë drejtim, sepse po ti referohemi të shkuarës pak më shumë se një shekullore të shtetit shqiptar, raportet me diasporën kanë njohur luhatje ekstreme për shkaqe historike që njihen.
Një gjë është e sigurt dhe e pamohueshme, në momentet më dramatike që ka kaluar historia e popullit shqiptar, roli i diasporës ka qenë përcaktues. Sot më shumë se kurrë nevojitet një bashkëpunim përtej ideologjive, në dobi të prosperitetit gjithëkombëtar, integrimit shqiptaro-shqiptar nga një anë dhe atij shqiptaro-evropian nga ana tjetër.