Manjola Prifti, bashkëshortja e të ndjerit Fatmir Rama, i njohur ndryshe si Miri i Xhikes, e cila ishte arrestuar dje, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku ëhstë dënuar për trafik të lëndëve narkotike, është lënë e lirë sot nga Gjykata e Tiranës, e cila i ka caktuar masën e deturimit të paraqitjes.
Policia e Tiranës në bashkëpunim me Interpol Tirana e kishte arrestuar dje me qëllim ekstradimi në Itali, 43-vjeçaren Manjola Prifti, banuese në Tiranë. Prifti ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik të lëndëve narkotike.
Manjola Prifti është një personazh jo pak i njohur, pasi ka qenë bashkëshortja e Mirit të Xhikës (Fatmir Rama) i vrarë në Tiranë nga një atentat 15 vjet më parë në ambientet e “Kartodromit”, biznesit në pronësi të tij në Lundër. Miri i Xhikes ka qenë një prej kokave të trafikut të drogave të forta nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE.
Aktivitetin e paligjshëm, Fatmir Rama, sipas autoriteteve italiane, e kryente në bashkëpunim me bashkëshorten Manjola Prifti. Çifti, paratë e drogës të fituara në Itali dhe vende të tjera i investoi në biznese në Tiranë. Pas vrasjes së Mirit të Xhikes, e gjithë pasuria kapitale dhe monetare, i kaloi bashkëshortes së tij Manjola Prifti, e cila disa vite më parë ndërtoi në fshatin Vaqarr edhe diskotekën “Doberman Club” në të cilën ishte pronare e vetme e saj.
Autoritetet Gjyqësore Italiane, e kanë dënuar shtetasen Manjola Prifti me 7 vjet, 3 muaj dhe 15 ditë burg, për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, bazuar në nenin 110 të Kodit Penal Italian dhe Neni 73 e 74 të Dekretit të Presidentit Italian nr. 309/90. Sipas drejtësisë italiane, fitimet e nxjerra nga aktiviteti kriminal, Manjola Prifti i ka investuar duke ligjëruar ato në biznese të ndryshme. /shqiptarja.com