Ngritjen e SPAK duket se nuk mund ta ndalë dot askush. Ditën e djeshme janë mbyllur aplikimet për kreun e Prokurorisë së Posaçme duke hedhur hapin final kundër luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu siç gazeta “SOT” bëri të ditur më 1 dhjetor se gara do të zhvillohej mes 3 prokurorëve, kështu ndodhi.
Kandidatët e vetëm që kanë kandiduar për në krye të SPAK janë Arben Kraja, Edvin Kondili dhe Altin Dumani. Dje skadoi afati i kandidimit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi zyrtarisht se tre emrat e mësipërm kanë dorëzuar letrën e motivimit për pozicionin e kryeprokurorit dhe letrën mbështetëse. “Sot ka përfunduar afati për aplikimin për pozicionin e Drejtuesit së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bazuar në njoftimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të shpallur në faqen zyrtare të Këshillit me datë 26 nëntor 2019 janë njoftuar të gjithë prokurorët e emëruar në Prokurorinë e Posaçme të shprehin interesin për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Afati i aplikimit është data 10 dhjetor 2019. Në afatin të përcaktuar nga Këshillit të Lartë të Prokurorisë, thirrjes për shprehje interesi janë përgjigjur tre kandidatë, Arben Kraja, Edvin Kondili dhe Altin Dumani.
Ata kanë dorëzuar pranë Këshillit letrën e motivimit në të cilët shprehet motivimi për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, letrën mbështetëse (shpjeguese) për standardet 1,2,3,4,5,7 të parashikuar në metodologjinë e miratuar me vendim të KLP nr.237, datë 25.11.2019 (publikuar në faqen zyrtare të Këshillit) dhe vizioni ose planin të besueshëm për ndërtimin e Prokurorisë së Posaçme si një institucion funksional dhe efektiv sipas standardit 6 të metodologjisë”, thuhet në njoftimin e KLP-së. Javën që vjen KLP do të bëjë zgjedhjen e kryeprokurorit dhe më 19 dhjetor bëhet betimi. Më 20 dhjetor ata nisin punën dhe pas kësaj date nisin procedurat për të hapur dosjet e bujshme.
Procedurat për zgjedhjen e kryeprokurorit të SPAK
Por si do të procedohet me zgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Posaçme? Në rregulloren “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, bëhet e ditur se votimi bëhet i hapur dhe nominal.
Ndërsa anëtarët e Këshillit nuk mund të votojnë për më shumë se një kandidat. “Këshilli fton çdo Prokuror të Prokurorisë së Posaçme që ka dorëzuar letrën e motivimit për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, për të trajtuar para Këshillit në një prezantim të shkurtër secilin prej standardeve të renditura në nenin 19; Votimi për Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme bëhet i hapur dhe nominal; Secili anëtar i Këshillit nuk mund të votojë për më shumë se një kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme; Drejtues i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet kandidati që merr më shumë vota në Këshill; Në rast se dy a më shumë kandidatë marrin numër të barabartë votash, Këshilli kryen një votim të dytë mes kandidatëve me numër të barabartë votash; Nëse asnjëri prej prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme nuk shfaq interes për pozicionin e Drejtuesit Këshilli cakton përkohësisht në këtë detyrë njërin nga prokurorët”, thuhet në rregullore për procedurën që duhet ndjekur. /Ornela Çelpica