Reforma në drejtësi duket se po lë pa gjumë shumë politikanë në vend. Disa prej tyre nuk e shprehin, por mes të paktëve që po e tregojnë është presidenti Ilir Meta. Edhe pse u duk sikur tërmeti qetësoi përplasjet politike, presidenti ka vendosur të rinisë sulmet dhe akuzat.
Pas dëshmisë që dha ditën e djeshme kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani, Presidenca u hodh sërish në sulm ndaj tij, duke e akuzuar se ka shkelur me dashje Kushtetutën. Por sulmet e kreut të shtetit u shtrinë edhe më tej, ku deklaroi se sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika. “Nga një dhunues me dashje i Kushtetutës dhe i ligjit, i mirëdokumentuar, i provuar dhe përsëritës në shkeljen e tyre, nuk presim asnjë reflektim publik. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me organin e akuzës për të vendosur drejtësinë në vend. Ky proces do të jetë i hapur dhe transparent për opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar, për të ndaluar kapjen totale të institucioneve të drejtësisë, përmes kapjes së Gjykatës Kushtetuese, institucionit më të rëndësishëm që garanton funksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi në një postim në rrjetin social Facebook.
Sulmet e Metës në drejtim të reformës në drejtësi dhe ndërkombëtarëve kanë qenë të shumta. Ai prej kohësh e ka shprehur hapur frikën që ka nga ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë. Anëtarët e SPAK do të betohen në datën 19 dhjetor dhe në datën 20 ata do të nisin zyrtarisht detyrën. Qëllimi i këtij institucioni është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. Pikërisht ngritja e SPAK ka bërë që kreu i shtetit ta shfaqë hapur frikën ndaj reformës.
Reagon LSI
Por në krah të presidentit ka dalë edhe partia Lëvizja Socialiste për Integrim. Ish-deputeti i kësaj force politike Petrit Vasili kërcënoi prokurorinë, duke i kërkuar u shpreh se prokuroria duhet të ketë kujdes, të zbatojë ligjin ndaj Ardian Dvoranit, duke e ndjekur atë penalisht për dhunim të Kushtetutës. Përmes një postimi, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po tenton të kapë të gjitha institucionet në vend. “Prokuroria të ketë kujdes, të zbatojë ligjin ndaj Dvoranit dhe të mos vazhdojë t’i kundërvihet hapur popullit.
Edi Rama të largojë duart nga drejtësia dhe të mos vazhdojë të provokojë më me Ramaformën e tij sepse populli nuk do ta falë në asnjë mënyrë dhe fundi i tij do të jetë më i pashpresë se i Dvoranit të tij. Dvoran ti do të ndiqesh penalisht sot apo nesër! Do ndiqesh si i tillë se ke shkelur dhunshëm Kushtetutën dhe ligjin me dashje dhe këmbëngulje si kamikaz i partisë. Nuk bllokohet KED, të cilën ti e përdhose me aktet e tua qëllimkeqe e antiligjore. Që ti të vije në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me detyrën që Rilindja të dha për të kthyer Gjykatën Kushtetuese në gjykatë partie, u bllokua KED dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese për më shumë se dy vite”, tha Vasili. Më tej, ish-deputeti shtoi edhe disa argumente, që sipas tij janë prova konkrete që Dvorani është në shkelje të Kushtetutës. “Që botove në Fletore Zyrtare vendimin e KED, duke dhunuar ligjin që ta kërkon vetëm në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, është faj nga i cili nuk shpëton dot.
Që nuk zbardhe e nuk botove procesverbalet e 30 mbledhjeve të KED është faj dhe nuk i shpëton dot. Që vetë shpalle anëtare të Gjykatës Kushtetuese, kur as Kushtetuta e as Ligji nuk ta jep këtë të drejtë, është faj dhe nuk shpëton dot. Kur ti kërkon t’i imponosh presidentit zgjedhjen dhe i dërgon kandidatët për dy vakanca njëherësh dhe Kushtetuta t’i kërkon sipas radhës dhe një nga një është faj dhe nuk shpëton dot”, tha Vasili. /Elisjeda Kiko