Ilir Meta po tenton që në krye të Emërimeve në Drejtësi të vendosë të besuarën e tij, Vitore Tusha. Padia ndaj kryetarit aktual Ardian Dvronai nuk ka qenë një reagim i pamenduar, pasi kreu i shtetit duket se po ecën me skenar të qartë. KED ka në dorë Gjykatën Kushtetuese, e cila do të duhet të vendosë për shkarkimin e Metës. Por presidenti duket se e ka kuptuar se nëse shkon deri aty çështja, fati i tij do të jetë në fije të perit.
Prandaj ka nisur një luftë shumë e madhe për të dominuar Kushtetuesen. Fillimisht u mendua se Meta duke paditur Dvoranin po tenton të bllokojë KED, por dje presidenti e ka treguar qartë se plani ka qenë tjetër. Meta po synon që të vendosë në vend të Dvoranit anëtaren e Kushtetueses, Vitore Tusha. Pasi mazhoranca e refuzoi për në krye të KLSH, Tusha ka nisur një fushatë hakmarrjeje, pasi në shkelje të çdo ligji pranoi Xhaferllarin si anëtare të Kushtetueses dhe e propozoi si kandidate për në KED. Emërimi i saj në krye të KED sigurisht që do e qetësonte kreun e shtetit. Por cili është plani? Zëdhënësi Tedi Blushi, përmes një deklarate për mediat i është përgjigjur Dvoranit, i cili tha dy ditë më parë se shkarkimi tij do e fuste në kaos KED. Nëse ndaj tij nis ndjekja penale, ai do të duhet të largohet dhe kjo është shpresa e presidentit.
Dje zëdhënësi i tij deklaroi se sipas ligjit, mandati i Dvoranit duhet t’i kalojë zëvendësit, që është anëtari më i madh në moshë në Gjykatën Kushtetuese. “I pyetur nga gazetarët në lidhje me pretendimin e Ardian Dvoranit se, nëse ai do të merrej i pandehur nga Prokuroria, atëherë kjo do të sillte bllokimin e funksionimit të KED-së, zëdhënësi i Presidentit të Republikës, zoti Tedi Blushi sqaroi se: “Kjo është një alibi e neveritshme për t’i shpëtuar drejtësisë për veprat penale që Ardian Dvorani ka konsumuar dhe për të cilat është kallëzuar penalisht në Prokurori.
Ligji nr. 115/2016, për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ka zgjidhur shumë mirë këtë situatë në nenin 227 të tij, ku parashikon se “Anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është Zëvendëskryetari i KED-së. Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e Kryetarit në mungesë ose pamundësi të këtij të fundi’”. Por sipas këtij përcaktimi, anëtarja më e vjetër nga Kushtetuesja është Vitore Tusha dhe nëse Dvorani largohet, duhet ta marrë ajo detyrën. Pra duket se ky ka qenë gjithë plani i Metës.
Presidenca në sulm ndaj Dvoranit
Mazhoranca ka nisur një proces për shkarkimin e presidentit dhe ndaj tij ka shumë akuza për shkelje të Kushtetutës. Deri më tani është treguar se votat në Parlament nuk mungojnë dhe shpresa e vetme e presidentit është që të sigurojë mbështetje në Kushtetuese. Ligji i jep të drejtë të emërojë 3 emra, por deri më tani sharra i ka mbetur në gozhdë presidentit. Fillimisht emëroi Besnik Muçin, i cili ngeli në veting. Më pas emëroi Xhaferllarin në shkelje të ligjit e Kushtetutës, pasi dekreti u nxor jashtë afateve dhe u zgjodh emri i 4 në listë jo mes 3 të parëve. Të gjitha këto tregojnë se presidenti kërkon të sigurojë mbështetjen e anëtarëve të rinj. Planet e tij i prishi Ardian Dvorani e për këtë arsye Meta ka nisur një sulm të paprecedentë në historinë e shtetit.
Hera e parë që një president dorëzon një padi penale dhe kërcënon e bën shantazhe me video. Edhe dje nuk munguan sulmet në drejtim të kreut të KED. “Nuk është përgjegjësia penale e Ardian Dvoranit, që mund të bllokojë funksionimin normal të KED, por u bllokua qëllimisht funksionimi i KED për dy vite radhazi, që në krye të këtij organi të vihej Ardian Dvorani, për të konsumuar të tilla shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore. Edhe mbledhja e djeshme e KED-së, e zhvilluar duke njoftuar dy Rende Dite të ndryshme, një të njoftuar publikisht dhe një të ndryshëm të njoftuar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në Këshill, është një tjetër e dhënë e papërgjegjshmërisë së këtij individi, përkundrejt zbatimit të transparencës së ushtrimit të detyrës ashtu siç Kushtetuta dhe ligji ia kërkon”, përfundoi Blushi. /Sot