Gjykata e Tiranës ka dënuar më 1 vit burg ish-deputetin Ervin Salianji për kallëzim të rremë për çështjen “Babale”. Një vit më parë Partia Demokratike nisi një sulm frontal ndaj qeverisë, ku përmes përgjimeve pretendonte se i vëllai i ish-ministrit Fatmir Xhafaj merrej me trafik droge. Por kjo histori është kthyer në boomerang për Salianjin, i cili ka qenë iniciatori i gjithë kësaj historie.
Dënimi i ish-deputetit Salianji shënon edhe politikanin e parë të dënuar me burg që pas reformës në drejtësi, pasi ish-ministri Saimir Tahiri u dënua me shërbim prove. Ky vendim nuk është ende i formës së prerë, pasi do të pritet vendimi i Gjykatës së Apelit për të vendosur përfundimisht dënimin e tij. Nga demokratët dënimi i ish-deputetit Salianji është cilësuar si një dënim politik, pasi ata pretendojnë se Salianji është dënuar pa të drejtë. Salianji e ka akuzuar edhe njëherë Prokurorinë, duke thënë se nuk ka asnjë provë, por vetëm urdhër politik. Në një deklarata për mediat, Salianji nxori një skicë që sipas tij ishte harta e qelizave telefonike që tregonte se Jetmir Olldashi, Geron Xhafaj dhe Albert Veliu kanë qenë për një orë në të njëjtën zonë, te lokali i vëllait të ish-ministrit kur është bërë regjistrimi i audios në orën 13:30. Organi i akuzës ka kërkuar dënimin edhe për Albert Veliun të njohur si Babalja, për të cilin ka kërkuar 3.6 vite burg. Po ashtu është kërkuar 3 vite për Fredi Alizotin, 1.6 vite burg për ish-deputetin Ervin Salianji dhe 1 vit për gazetarin Jetmir Olldashi.
Reagon Salianji
Pas vendimit të dhënë për ish-deputetin, Salianji ka dhënë një deklaratë për mediat, ku ka deklaruar se pretenca është e urdhëruar nga kryeministri Edi Rama. “Pretenca u bë gati nga Edi Rama që ditën e dytë të publikimit të skandalit të vëllait të ish-ministrit Xhafaj. Në datë 24 kur është bërë investigimi i gazetarit Jetmir Olldashi për një orë, sipas qelizave telefonike edhe Geron Xhafaj edhe Jetmir Olldashi dhe Albert Veliu sipas antenave ndodhen në të njëjtën zonë që është edhe lokali i Agron Xhafajt. Kjo provë nuk është kundërshtuar nga prokuroria.
Kam prova se Alizoti është dëshmitar i rremë kur thotë se e ka sjellë në 15 janar audio dhe se ma ka dorëzuar mua. Alizoti merrte dhe paguhej me para nga drejtori i Policisë së Fierit”, ka deklaruar Salianji. Më tej ai ka thënë se ka edhe fakte të tjera lidhur me këtë çështje, duke hedhur kështu poshtë indirekt vendimin që ka dhënë gjykata për të. Ai tha se prokuroria do duhej që të ndryshonte qëndrimin.“Kemi edhe fakte të tjera, që janë komunikimet telefonike të dy numrave të Veliut dhe nga 14 janari dhe deri në fund të shkurtit nuk ka ardhur në Tiranë për të më dorëzuar materialin audio, bie me provë shkencore pretendimi i dëshmitarit të sajuar. Edhe numri i Alizotit dhe Babales nuk janë në Tiranë sipas qelizave të kompanisë, që janë në dosjen e prokurorisë. Mbrojtja jonë është mbi 300 faqe, ndërsa prokuroria nuk ka asnjë provë, vetëm urdhër politik. Prokuroria duhet të ndryshonte qëndrim sepse edhe dy prokurorët e parë janë shkarkuar nga vetingu”, tha ai.
Sakaq Salianji ka hedhur akuza edhe ndaj gjyqtarit që ka dhënë vendimin për të lënë këtë të fundit një vit në burg. Ish-deputeti ka thënë se gjykatësi është anëtarë i bandës së Lushnjes dhe i shërben Partisë Socialiste. Në të njëjtën linjë ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili tha se vendimi për ish-deputetin Ervin Salianji është dhënë nga një anëtar i bandës së Lushnjes. Po dje, Albert Veliu është dënuar me 3 vite e 8 muaj burg ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj burg, dënim i cili do të zëvendësohet me 100 orë pune. /Arbjona ÇIBUKU