Mazhoranca qeverisëse miratoi ditën e djeshme dy ligjet e paketës anti-shpifje. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar u miratua me 82 vota pro, 13 kundër dhe 5 abstenim dhe Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar u miratua me 87 vota pro, 10 kundër dhe 3 abstenim.
Pas diskutimeve në seancën plenare dhe kundërshtive të gazetarëve, paketa anti-shpifje u miratua me 82 vota pro, 13 kundër, 5 abstenim dhe 5 që nuk votuan. Një ndër ligjvënësit që abstenoi miratimin e paketës anti-shpifje ishte ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili kërkoi rregullim në paketën anti-shpifje, që të mos cenohet liria e medias. Ai kërkoi gjithashtu edhe shtyrje të votimit. “Po nxitohemi që po bëjmë një ligj të tillë, është në kundërshtim me KiE, që nuk e ka kërkuar këtë ligj”, tha Bushati në Kuvend. Por gjatë votimit nen për nen të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, u bënë disa ndryshime, ku kreu i grupit socialist Taulant Balla paraqiti në Kuvend disa amendime. Balla propozoi që vendimet e Bordit të AMA-s të ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, propozim i cili u votua me 85 vota pro. “Vendimet e bordit të AMA-s ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë”, propozoi Balla.
Ndryshojnë gjobat
Po ashtu kreu i grupit socialist foli edhe për gjobat e portaleve. Ai tha se një portal do të gjobitet nga 100 mijë lekë deri në 1 milion lekë për shkelje të ligjit. Për përsëritjet e shkeljeve më shumë se një herë brenda një viti portalet do të gjobiten nga 100 mijë lekë deri në 600 mijë lekë. Po ashtu, gjoba do të ketë edhe kur nuk respektohet vendimi i këshillit të ankesave, të cilat do të variojnë nga 40 mijë lekë deri në 800 mijë lekë. Përsëritja e shkeljeve më shumë se 3 herë do të rrisë me 50 për qind vlerën e gjobës.
AMA nuk mbyll portalet
Sipas ndryshimeve të fundit, që tashmë kaluan në Parlament, nëse një portal ka përmbajtje me tre argumentet më lart, të cilat Balla theksoi se përbëjnë vepër penale, AMA do të urdhërojë heqjen e përmbajtjes, ose do të pengojë aksesin. Si hap i dytë, do të vendoset një njoftim “pop up” në portal që shfaq vendimin e AMA-s dhe argumentet mbi përmbajtjen e lajmit cenues. Pika e tretë që shtohet është e tillë: Është Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) që do t’i kërkojë me shkrim AMA-s të marrë vendim pas vlerësimit për kryerjen e veprës penale dhe është AMA ajo që pas analizimit të fakteve merr vendim. Se cili do të jetë ky vendim, amendamenti nuk e saktëson, por fjala mbyllje e portalit nuk përmendet, përveç faktit që duhet të hiqet nga teksti vetëm ajo pjesë e përmbajtjes që përbën vepër penale. Pra edhe në rastin kur një portal ka publikuar një shkrim që prek një nga 3 argumentet e “ndaluara” faqja nuk mbyllet.
Heqja e licencës
Në propozimin e amendimeve Taulant Balla tha se portalet nuk do të mbyllen, por vetëm do të merren masa për gjobitje ndaj tyre, përgënjeshtrime, apo fshirje të lajmeve ose vetëm të përmbajtjes që është cenuese. Por ndryshe ndodh me televizionet, për të cilat AMA mund të marrë vendim deri në heqjen e licencës. Ndonëse relatori i paketës anti-shpifje, Musa Ulqini, tha se ky ligj nuk prek televizionet, por vetëm median online, me amendamentin që Balla bëri në moment të fundit në Kuvend, saktësohet se heqja e licencës, ulja e kohëzgjatjes së licencës, apo pezullimi i përkohshëm i saj, është për ofruesit e shërbimeve audio dhe audiozive. Pika më e kritikuar, ajo që AMA urdhëronte AKEP-in të mbyllte një portal nëse për 60 minuta nuk kishte fshirë një lajm që kishte pornografi me fëmijët, terrorizëm, dhe cenon sigurinë kombëtare, është hequr. Pra, një portal nuk do mbyllet pa një vendim gjykate.
Protesta e gazetarëve
Por para se paketa anti-shpifje të kalonte në votim, një grup gazetarësh dhe aktivistë të shoqërisë civile zhvilluan një protestë para Kuvendit. Me pankarta nëpër duar ata kundërshtuan nismën e qeverisë, ku njëzëri u shprehën se po cenohet fjala e lirë dhe se sipas tyre AMA po merr kompetencat e gjyqësorit. /Elisjeda Kiko