Tërmeti i fortë i 26 nëntorit duket se ka dëmtuar rëndë edhe Teatrin Kombëtar. Siç shihet edhe nga këto foto, kolona kryesore mbajtëse e strukturës së godinës së Teatrit Kombëtar ka pësuar krisje dhe çarje të forta, duke rrezikuar seriozisht rrëzimin e godinës.
Për fat të keq, ndonëse kanë kaluar mbi 20 ditë nga tërmeti, ende askush nga ekspertët nuk ka shkuar për ta kontrolluar, siç është vepruar dhe po veprohet me të gjitha ndërtesat e vjetra në Tiranë, ku shumë prej të cilave kanë dalë edhe të pabanueshme dhe janë evakuuar. Godina e Teatrit Kombëtar është ndërtuar rreth 80 vite më parë dhe ndër vite ka pësuar një amortizim të theksuar. Megjithatë, kohë më parë kjo godinë është shpallur e pasigurtë nga Instituti i Ndërtimit.
Duke qenë se në godinën e Teatrit Kombëtar dhe rreth saj qëndrojnë ose kalojnë qytetarë, është e domosdoshme që institucionet të kryejnë një akt-konstatimi të dëmeve që mund të ketë shkaktuar tërmeti i 26 nëntorit dhe paslëkundjet e tij. Copat e kollonës së dëmtuar mund të bien dhe të rrezikojnë jetën e kujtdo që kalon në sheshin përpara teatrit.
Mungesa e mirëmbajtjes ndër vite dhe cilësia e dobët e materialeve që është përdorur për ndërtimin e saj, kanë bërë që godina e Teatrit të degradojë plotësisht. Pjesa e tavanit, në pjesën më të madhe të godinës është batuar dhe ka prezencë lagështire, kryesisht në ambientet e katit të tretë. Edhe në faqen perëndimore të objektit shihet një degradim lokal, ku në disa elementë prej druri vihen re deformime të dukshme dhe kalbje.