Këngëtari italian më i dashur i shqiptarëve Adriano Celentano lindi me 6 JANAR 1938, sot mbush 82 vjeç. Këngëtari, kompozitori, producenti, komediani, aktori, regjisori dhe drejtuesi i filmit Adriano Celentano sot feston 82-vjetorin
Adriano Celentano ishte një nga artistët më të shitur italianë të kohës së tij. Ai drejtoi dhe luajti në një numër filmash italianë, në vitet 1970 dhe një pjesë të viteve 1980.
Jeta e një rebeli
Është viti 1968. Verë. Ato pushime duhet t’i kujtojmë duke sjellë ndërmend “Azurro-n”, një prej hiteve më të dëgjuara të shekullit, shkruar nga Paolo Conti dhe kënduar nga Adriano Celentano. “Azzurro” si bukuria që mbizotëroi atë periudhë të viteve ’68, duke ndryshuar jetët e italianëve përgjithmonë. Një këngë verore, kundër rrymës së kohës me tematikat e dashura të Adriano Celentanos: si dashuria, ekologjia, dhe besimi; që do të skarconte të gjitha disqet dhe këngët e tjera në Top-List.
“Azzurro” si i gjithë qielli, si vetë nostalgjia, si mendimet e një të diele të mërzitshme, “Azzurro” si ndjenjat kontradiktore që mbysin zemrën, ëndrrat dhe skeptiçizmin, “Azzurro” si dëshira për të sjellë diçka të pazakontë, një identitet të ri që në të njejtën kohë të ndryshojë historinë tonë. Dhe kjo “diçka” merr formë vetëm me muzikën e Paolo Contit, tekstin e Vito Pallavicinit, ngjitur në mënyrë të shkëlqyer pas “lëkurës” së Adriano Celentanos, që vendosi ta këndonte atë me plot ironi, gati-gati duke ‘stonuar’ për të dhënë mesazhin e atij njeriut që këndon teksa ecën i menduar sipër biçikletës. Kështu “Azzurro” do të bëhej kënga italiane më e kënduar e botës, një himn nacional modern që do të hynte në zemrat e të gjithëve.
Në vitin 1968, kur italianët njihen me “Azzurro-n”, Celentano ishte në majën e suksesit duke i habitur të gjithë me atë baladën e tij autobiografike, e cila do t’i rezistonte të gjitha kohërave, duke u bërë kënga më e dashur për të gjithë. Në po atë vit, Adriano do të shkonte ta këndonte në Sanremo, duke u eleminuar prej festivalit që në natën e parë, por për “ironinë e fatit”, ‘Ragazzo della Via Gluck’ do të shiste më shumë se 1 milion kopje, të kënduar në 22 gjuhë të ndryshme, duke u kthyer në një sukses planetar.
Vetë Celentano ishte rritur në “Via Gluck”, pranë stacionit qendror, kohë në të cilën nga ballkoni i shtëpisë së tij mund të shiheshin fushat dhe malet që rrethonin Milanon. Verave, Celentano i kalonte pushimet e tij në këtë rrugë, duke luajtur për orë të tëra këmbëzbathur, aq sa të afërmit dhe komshinjtë do t’i ngjisnin nofkën “Tërmeti”. Atje do të ndjente për herë të parë ajrin botës, lumturinë e tij dhe dashurinë e familjes. Djali i dy prindërve puljezë, që kishin emigruar që herët në atë zonë: Të varfër, por të lumtur, dhe shumë të bashkuar. Për ta, ëndrra e tyre ishte që i biri të bëhej orëndreqës, një profesion që do t’i hynte shpejt në zemër duke iu përkushtuar për një kohë të gjatë asaj.
Por që në një moment, – siç shpjegon vetë ai, – në dyqanin e tij do të hynte një prej shokëve, shoqëruar nga një pllakë megafoni në dorë, me shënimin “Orologio matto”, muzikë e cila do t’i hynte në zemër dhe që prej asaj kohe do të bëhej “historia e jetës së tij”.
Nisi të praktikohej shpejt, por dalja e tij e parë në publik ishte në “Festivalin e Parë Kombëtar të Rock&Roll-it”, në Pallatin e Akullit, në Milano. I panjohuri Celentano do të këndonte për herë të parë “Ciao ti diro” dhe në çdo rresht të kënduar, platea do të çmendej nga zëri i tij. Një herësh i hipur në skenë, do të luante me mikrofonin, do të këndonte me një timbër të veçantë, do të kërcente në mënyrën e tij, dhe mbi të gjitha do ta bënte publikun ta donte përjetë ashtu siç ishte: Kundër rrymës së kohës!
Me pak fjalë, ishte nje rebel i ri modern, një “i pabindur” që do të bënte mijëra vajza ta adhuronin dhe ta donin marrëzisht sa herë do të dëgjonin zërin e tij të këndonte “Il tuo bacio è come un rock”. Ndërsa me ato “24 mijë puthjet e tij” në një ditë të gabuar, do të provokonte skandalin e parë televiziv, duke u prezantuar para publikut natën e madhe të Sanremos i kthyer me shpinë.
Duhet thënë se në raport me publikun ishte një tip i vështirë, ndërsa me vajzat ishte nga ata që thonin edhe “Jo” duke mbajtur një linjë korrekte nën edukimin katolik. Megjithatë, ishte koha kur në xhirimet e një prej filmave të tij, një tip si ai do të takonte Claudia Morin, dashurinë e tij të përjetshme… Të cilën, sapo e pa, kuptoi se ishte ajo – vajza e ëndrrave të tij: Një 18-vjeçare e bukur, me shikim të mprehtë dhe e zgjuar, e shoqëruar nga një karakter i fortë dhe e vendosur. Të nesërmen e asaj dite, gjatë pushimit në dhomën e trukut, ai do të çmendej pas saj. Dhe teksa do të tentonte ta puthte, do të ndeshej me “Jo-në” e Claudias, e cila edhe pse e dëshironte, ishte e vendosur të mos i bindej asnjë dëshire të tij, pa u fejuar me të. Ishin të dy të dashuruar, por Adriano kishte një forcë të madhe të çuditshme, që shoqërohej nga një alegri e pakufizuar lumturie, që do ta bënte Claudian të rendte kudo pas krahëve të tij. Dhe pas një nate të gjatë mes të dyve në hollin e hotelit ku akomodoheshin, në të gdhirë të ditës tjetër, Adriano do të kapte telefonin duke e thirrur matanë dhomës tjetër, e do t’i thoshte në anglisht se ishte dashuruar marrëzisht pas saj. Njëherësh Claudia do t’i shprehte atij të njejtën gjë, që e donte dhe do ta ndiqte nga pas kudo. Por bashkë do të lidheshin përfundimisht një mbremje tjetër, ndërsa dëgjonin të dy një disk të Ray Charles, atëherë kur do të mbërrinte edhe puthja e tyre e parë.
Ndërsa në 14 korrik 1964, Adriano Celentano dhe Claudia Mori do të lidhnin kurorë. Dasma do të mbëhej në Grosseto dhe do të pagëzohej nga Frat’ Ugolino, në 03:00 të mbrëmjes duke mbajtur larg syrit dhe veshëve publikun, kronistët dhe fotografët që i ndiqnin ngado. Për Adrianon martesa do të thoshte familje. Kështu do të vinin në jetë, njëri pas tjetrit, tre fëmijët e tij me Claudian: Rosita, Giacomo dhe Rosalinda, që lindi fiks në 1968 (vit i lumturisë së tij më të madhe). Vite kur Celentano këndonte Azzurro-n por nuk do të harronte muzikën Rock dhe do të shkonte akoma më larg me muzikën dhe karrierën e tij të jashtëzakonshme, duke u bërë i pari këngëtar Italian që do të mbushtte stadiumet me koncertet e tij dhe do të ekzaltonte të gjithë të pranishmit në to. Ndërsa Claudia do t’i qëndronte pranë në të gjitha hapat e tij, duke u bërë krahu i tij i djathtë jo vetëm në jetën familjare por edhe në atë profesionale.
Por ndryshe nga muzika e tij Rock, tanimë ai do t’i kushtonte rëndësi të veçantë në tekset e tij temave më të nxehta si ekologjia, droga, besimi, dhuna, raportet ndërnjerëzore apo ekonomia familjare, dhe pati kurajon të prezantohej ne Sanremon e vitit 1970 me një këngë rreth situatës ekonomiko-politike dhe krizës që kishte kapluar familjet italiane të kohës. Megjithëse i kontestuar dhe i shoqëruar nga polemikat, Adriano do të ngjitej për së dyti në skenën e Sanremos si fitues me këngën e tij “Chi non lavora non fa l’amore”.
Ish-djali i rrugës “Gluck”, “mbreti i injorantëve”, dhe rebeli i dikurshëm, do të transformohej në një prej njerëzve më të rëndësishëm të kohës, që duke mos iu përmbajtur rregullave, do të arrinte gjithçka vetë duke u kthyer në një shoëman dhe predikator televiziv, shembull i jashtëzakonshëm për të tjerët./Irdi Zjarri
Gazetar
Ndërkohë përmendim këtu edhe disa nga këngët më mahnitëse, që bënë për vete, jo vetëm italianët dhe shqiptarët, por gjithë botën.
1-Që në vogëli, Adriano Çelentano ka qenë i apasionuar pas orëve dhe për një farë kohe ka punuar si orëndreqës.
2-Në vitin 1960 Adriano Çelentano është shfaqur si aktor në filmin e famshëm të Federico Fellini, La dolce vita
3- Të gjithë e njohin si djaloshin e rrugës Gluck, një nga rolet më të famshme të Çelentanos.
4- – Midis mbarimit të viteve gjashtëdhjetë dhe fillimit të të Shtatëdhjetave Celentano u pa nga të rinjtë si reaksionar, për shkak të teksteve të tij “predikuese”. Në fakt, shumë shpesh, madje edhe nën maskën e këngëve “të pastra”, fshihej edhe kritika e ashpër ndaj shoqërisë.
5-Çfarë lidhje ka Çelentano me muzikën rep? E thjeshtë. Pjesa e tij Priencolinensinainciusol, botuar më 3 nëntor 1972 në gjuhën “Celentanesca “, konsiderohet nga artisti si rapi i parë italian. Përtej mosmarrëveshjes për origjinën e rapit, pjesa ishte një sukses ndërkombëtar, aq sa hyri në top listë duke zënë vendin e 70 në Shtetet e Bashkuara, më parë se në Itali.
6- Nga 1979 deri në 1994 Çelentano zgjodhi të mos performojë më koncerte.
7- Adriano Çelentano është një vegjetarian.
8- Në Shtator 1995 artisti mbajti një koncert në Lourdes.
9-Adriano Çelentano nuk ka një llogari në rrjetin social Instagram.