Afrim Berisha arriti që të bashkohej me djalin e tij Alvin vetëm 5 vite pasi ai u rrëmbye nga ish-gruaja e tij, e cila u lidh me një ekstremist të Shtetit Islamik në Siri.
Në një intervistë për Euronews ai rrëfen se herën e parë që mbërriti në Siri u kap nga ISIS.
“Vetëm dy javë pasi gruaja e tij mori Alvin, Berisha arriti në Siri. Gjatë qëndrimit të tij 2-javor, ai u kap nga ISIS. Berisha ishte me fat. Ai arriti që të paguante lirinë e tij duke i dhënë 500 euro një luftëtari shqiptar të ISIS. Pas vuajtjes, Berisha u largua nga Siria, por u rikthye çdo vit për të gjetur Alvinin pavarësisht situatës së rrezikshme, por pa rezultat”, shkruan “Euronews”.
Në një prononcim për gazetaren, ku qëndron krah djalit të tij 11-vjeçar, Afrim Berisha thotë: “Mendoja vetëm për Alvinin. Nuk isha i interesuar për asgjë tjetër, e dija rrezikun që më kanosej, por çfarë mund të bëja”.
Vite më vonë, Berisha mori një letër nga djali i tij që i kërkonte ta merrte në shtëpi. Në atë letër Alvin kishte shënuar edhe vendndodhjen.
Nëna e Alvinit mbeti e vdekur gjatë një sulmi me bombë, ndërsa vogëlushi u vendos në kampin Al-Hol, ku qëndroi për 6 muaj derisa u shpëtua në fillim të muajit nëntor, pas bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare, italiane dhe libaneze.