Zbardhen të tjera tentativa të presidentit Ilir Meta për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Prej disa muajsh ka nisur një luftë e fortë mes tij, KED dhe Parlamentit duke treguar edhe një herë se politika po bën çdo gjë për të pasur në dorë organet e drejtësisë.
Kushtetuesja do vendosë fatin e presidentit dhe ky i fundit duket se po punon fort që të vendosë aty emrat e besuar. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka publikuar ditën e djeshme raportin vjetor të 2019, ku ka treguar ndërhyrjet flagrante që ka kryer kreu i shtetit për kapjen e Kushtetueses.
Sipas raportit, Meta i ka kërkuar sqarime KED se përse skualifikoi nga gara kandidaten Zhaklin Peto. Nëse kthehemi pas në kohë, pas skualifikimit, Zhaklin Peto e apeloi vendimin e KED në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila e rikthehu sërish në garë. Por sërish KED nuk e pranoi dhe e largoi nga gara. “Nisur nga rasti i shqyrtimit gjyqësor të ndalimit të kandidimit të kandidates Zhaklina Peto dhe duke e shtrirë parashtrimin e disa qëndrimeve të tij edhe për çështje të tjera të lidhura me procesin dhe procedurat e verifikimit të kandidaturave, Presidenti i Republikës i është drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me shkresën nr. 2941/1 datë 31.08.2019. Gjithsesi, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duke zbatuar urdhërimet dhe orientimet e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, i rishqyrtoi të dy rastet e kandidimit të kandidates Zhaklin Peto dhe pas kryerjes së të gjitha procedurave përkatëse, duke ardhur në të njëjtat përfundime nisur vetëm nga ligji i zbatueshëm dhe gjetjet në procedurën e verifikimit, vendosi përsëri ndalimin e kandidimeve të kësaj kandidateje për mosplotësim të kriterit ligjor të integritetit pasuror”, thuhet në raportin vjetor të KED.
Pyetja që shtrohet është: Përse presidenti i kërkon sqarime një institucioni të pavarur? Vërtet ai e shpalli vakancën, por është e drejtë totale e KED që të vendosë për kandidatët. Duke i kërkuar sqarime, sigurisht që shkelet paanësia dhe ligji. Por nga ana tjetër tregohet qartë lufta e Metës për Kushtetuesen. Duhet theksuar se zonja në fjalë ka kandiduar në disa vakanca të shpallur nga Presidenti. Ajo ka shfaqur interes dhe për vendin vakant të lënë nga Besnik Muçi, edhe pse është skualifikuar dy herë.
Ndërhyrja e Kuvendit
Por për të shmangur përplasjet me presidentin Ilir Meta, kreu i KED Ardian Dvorani ka kërkuar ndërhyrjen e Kuvendit, që të miratojë një paketë normash të reja me shtesa dhe ndryshime ligjore. Dvorani kërkon në mënyrë specifike nga Kuvendi që të rregullat e reja të miratohen për plotësimin e vakancave për Gjykatën Kushtetuese, por edhe për afatet dhe kompetencat për zgjedhjen e tyre. “Në aspektin e procesit legjislativ, edhe në ligjin nr.8577/2000 mund të diskutohen dhe miratohen nga Kuvendi disa shtesa dhe ndryshime, veçanërisht në nenet 7/b, 7/c dhe 7/ç për të qartësuar procedurat që ndiqen nga organet e emërtesës dhe nga KED-ja për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese, ekzistencën, rastet, kuptimin dhe mënyrën e zbatimit të rregullit të paraqitjes së dy listave me gjyqtarë dhe jo gjyqtarë kur ka më shumë se një vend vakant në shqyrtim nga i njëjti organ emërtese lidhur me afatet, hapat proceduralë, komunikimin, kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të emërtesës në procesin e plotësimit të vendeve vakante si edhe për të harmonizuar në tërësi gjuhën dhe rregullat materiale dhe procedurale të këtij ligji të posaçëm me ato të ligjit të 2016 që përmban rregullime të natyrës më të përgjithshme”, thuhet në raportin vjetor të KED. /Elisjeda Kiko