Viti 2020 nis me risi në institucionet shtetërore. Dje, kryeministri Edi Rama tha se plot 472 aplikime për shërbime kanë kaluar online. “Revolucioni dixhital”, siç e quan kryeministri ka nisur punën dje dhe për ditën e parë të kësaj nisme Edi Rama vizitoi Qendrën Kombëtare të Biznesit, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë Anila Denaj dhe drejtoresha e AKSHI-t dhe e QKB-së.
“Vetëm pak minuta online në kompjuter apo celular, duke klikuar vetë nga kudoqoftë ose me një ndihmë të parë në sportel, përmes https://e-albania.al, mund të kryen procedurat e nevojshme që deri dje kërkonin kohë e mund zyrë më zyrë. Ky proces rrënjësisht transformues do të lehtësojë ndjeshëm sidomos biznesin e vogël, duke i hequr qafe shpenzimet e ecejakeve dhe biznesin në tërësi natyrisht. Nga sot do ta keni të mundur ta bëni punën pa ardhur këtu fare, mjafton të hyni te portali, tek QKB të bëni aplikimin dhe nga sot nuk do të keni nevojë të sillni dosjet që keni në duar, ku të ketë dokumente shtetërore, pasi të gjitha do të duhet t’i marrë për ju vetë QKB-ja dhe kështu në shërbimet e tjera. Ju thjesht duhet të aplikoni dhe të vendosni dokumentet private.
Pastaj përgjigjen e merrni në kohë, regjistrimin e biznesit e bëni në pak minuta”, tha Rama. Ky i fundit gjithashtu kërkoi që të shmangen dokumentet që nuk janë të nevojshme, duke i cilësuar se krijojnë zvarritje brenda administratës. “Ju vijoni krasitjen e dokumenteve…duhet të jetë e thjeshtë, shumë elementare. Ato dokumente që kërkohen pa fund janë vetëm problem për njerëzit, pasi krijojnë stres dhe zvarritje brenda administratës”, tha Rama. Më tej, fjalën e mori ministrja Anila Denaj, e cila foli më shumë për avantazhet që do të sjellë shërbimi online. “Me shërbimin e ri që do ofrojmë sot janë 114 shërbime të cilat kalojnë online.
Aktualisht kemi 152 mijë aplikime nga regjistri dhe 11 mijë aplikime për regjistrimin e klientëve. Në total me shërbimin online do kursejmë 3159 ditë pune. Janë 248 dokumente që do reduktohen. Mendojmë që ky është një hap shumë i madh përpara edhe për adresimin e kërkesave të biznesit, por edhe për të parë nga pjesa jonë e brendshme të gjitha dokumentet që janë të nevojshme, por jo të domosdoshme”, u shpreh Denaj, ndërsa shtoi më tej se ndërkohë po realizohen shërbimet online edhe në institucione të tjera në varësi të Ministrisë së Financave.
Nëse kjo risi eleminon, zyrat po administrata a do lehtësohet nga parazitët e mbetur pa pun?! Këtë nuk e përmendi as Rama dhe as Denaj.