Lufta kundër korrupsionit, pastrimit të parave, krimit të organizuar dhe zbardhja e një sërë veprash penale janë disa nga premtimet e artikuluara nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, disa ditë pas marrjes së detyrës së tij. Por përveç kapaciteteve logjistike, që të realizohen këto premtime kryeprokurori i ri zoti Çela ka nevojë edhe për një staf ekspertësh.
Gazeta ka mësuar se janë disa emra që kanë shfaqur interes për të kandiduar, në mënyrë që t’i bashkohen stafit të kryeprokurorit Çela. Sipas informacioneve, Arenc Çela dhe Olgert Rumniçi kandidojnë për ndihmës-magjistratë, ndërkohë që zoti Olsi Dado kandidon për drejtues të Marrëdhënieve me Jashtë dhe për postin e shefit të Dekriminalizimit, të cilin më herët e ka mbajtur kreu i SPAK, Arben Kraja. Po ashtu, mësohet se ish-prokurorja e Krimeve të Rënda, Pranvera Pustina kandidon për shefe kabineti.
Ndërkohë, burime bëjnë me dije se komandimet do të bëhen brenda kësaj jave, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbyllur garën dy ditë më parë. Kujtojmë që, Prokurori i ri i Përgjithshëm, Olsian Çela u zgjodh me 101 vota në Parlament për një mandat 7 vjeçar. Çela erdhi në këtë post duke zëvendësuar Arta Markun, e cila me një mandat të përkohshëm dy vjeçar u largua për të vazhduar karrierën e saj si gjyqtare Apeli në Tiranë.
Ndërkohë, zgjedhja e Olsian Çelës si kryeprokurori i parë i Përgjithshëm i Shqipërisë i dalë pas reformës në drejtësi është përshëndetur edhe nga Bashkimi Europian. Përmes një statusi në rrjetet sociale të publikuar në datën 5 dhjetor të vitit që lamë pas, ambasadori i BE, Luigji Soreca ka dhënë mbështetjen për zgjedhjen e Olsian Çelës si Prokuror i Përgjithshëm si edhe anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të dalë pas shortit të hedhur në Presidencë. Sipas tij, zbatimi i reformës në drejtësi mbetet një përparësi kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE.
“Ne mirëpresim zgjedhjen nga Parlamenti të Olsian Çelës si Prokuror i Përgjithshëm dhe zgjedhjen me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe mbetet një përparësi kryesore për rrugën e integrimit”, deklaroi ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigji Soreca.