Nga Bledi Mane
1./
E dëgjuat sot Aliun? Ali Khomenei, udhëheqësi shpirtëror i Iranit teksa sulmonte verbalisht Amerikën përmendi indirekt edhe Shqipërinë si “një vend i vogël djallëzor evropian” që u qëndron në krah Shteteve të Bashkuara. I ka mbetur qejfi Iranit pse ne kemi strehuar 3200 muxhahedinë opozitarë kundë regjimit të tyre por harrojnë se ky vend, Shqipëria, është aq tolerante dhe aq e dashur sa nuk ua pret dot mendja as në Washington, as në Teheran dhe as në Bruksel…
2./
Rrugica që gjarpëron pas Piramidës te rruga e Elbasanit mban emrin e partizanit lab Mustafa Matohiti. Dikur gjatë mbretërimit të Ahmet Zogut, aty jetonin në vilat e bukura shokët dhe patriotët shërbëtorë të monarkut nga rrethi i Matit. Pastaj komunizmi strehoi puthadorët e regjimit ndërsa tani, ah tani aty është atmosferë fantastike. Restorante, bare, kafene, Ambasada e Republikës Islamike të Iranit, birrari irlandeze, kishë protestane, shtëpia e Sali Berishës…
Aty çdo ditë e çdo natë ka muzikë, spiunllëk, kurvëllëk, drogë, flirtime, sherre, polici, botoks, makina të shtrenjta, sushi, kokainë, mburrje, dukje, injorancë, performancë. Aty përleshet diplomacia orientale ekstremiste me spiunët e Shik-ut shqiptar, aty ata pak besnikë tribalistë vazhdojnë të ruajnë shtëpinë e Saliut, kurvat joshin kollovarët, kollovarët yshtin shitësit e drogës, droga kombinohet me alkoolin, alkooli sjell sherre, policia vë gjoba, diplomatët iranianë vëzhgojnë shthurrjen pas dyerve të amabasadës së tyre ndërkohë ne argëtohemi me mënyrën tonë unike.
Kjo rrugicë, kjo pacarelë ku parakalojnë veset dhe qejfet tona, kjo ngushticë ku jetojnë iranianët përballë Sali Berishës mbetet ilustrimi më i bukur i identitetit tonë kolektiv. Aty në 169 metra linearë, gjen shpirtin e shqiptarit konservator dhe dekadent.
Mos mendoni se harrova, thjesht e lashë për në fund. Jeni tapë, të harbuar, të droguar apo në qejf?
Sapo dilni nga rrugica e Salës,bnë të majtën tuaj në juglindje të rrugës së Elbasanit do gjeni xhaminë e Elvis Naçit. Xhamia ku çunat heqin këpucët dhe falen, ku femrat veshin perçen dhe falen e si për ironi fati para xhamisë së Tabakëve keni Shkollën e Baletit ku gocat dhe çunat zhveshin gjithçka dhe ngrejnë këmbët e bëjnë piruetë si një formë e bukur arti omsisental të imponuar.
Nëse vazhdoni më në juglindje të Tiranës keni Qytetin Studenti ku nëpër godina të ndara flenë më veç vajzat nga djemtë, poshtë tyre është Ambasada Amerikane dhe përballê saj Parku i Liqenit, aty ku manjakë muslimanë, sunitë bektashinj, katolikë, ortodoksë, ateistë nuk pyesin as për fé e as për atdhé.
3./
Ndaj shqiptari nuk trembej dhe nuk trembet nga asnjë lloj kërcënimi. Edhe kur e thërrisnin nëpër zborret e monizmit, edhe nëse e thërrasin në aksionet e NATO-s, edhe nëse e thërrasin për Xhihad nuk mobilizohet dot. Shqiptari ndjek instiktin, është i prirur pas boshllëkut.
Mund të më thotë dikush nga ju, kemi fituar ne ndonjë betejë?
Qejfi në rradhë të parë pastaj feja dhe atdheu!!!