Partia Demokratike pret që në qershorin e këtij viti vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Pasi dogji mandatet rreth një vit më parë, opozita doli në rrugë duke protestuar kundër qeverisë dhe kërkuar zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë që edhe tani kryefjala e retorikës së artikuluar nga liderët e opozitës janë zgjedhjet e parakohshme, rruga e vetme që sipas tyre, do t’i japë fund krizës politike.
Por gazeta ka mësuar se PD është e bindur që në qershor do të mbahen zgjedhjet e parakohshme dhe për këtë arsye ka nisur mobilizimin e bazës. Sipas informacioneve, mësohet se kryedemokrati Lulzim Basha gjatë takimeve që ka pasur me krerët e degëve dhe ish-deputetët i ka garantuar këta të fundit se në fillim të verës do të ketë zgjedhje të parakohshme, ndërsa ka kërkuar nga ata që të nisin takimet me bazën.
PD përgatitet për zgjedhje të parakohshme
I pari që i është bindur porosisë së liderit demokrat, ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ka nisur takimet me bazën demokrate. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Bardhi zbuloi dje se gjatë dy ditëve të fundit është takuar me qindra demokratë gjatë mbledhjeve të kryesive në degët e PD në Kukës, Has dhe Tropojë, ndërsa mes të tjerash ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se përmes politikave të tij hakmarrës i ka diskriminuar banorët e këtyre zonave, pasi nuk e kanë votuar. “Dy ditët e fundit jam takuar me qindra demokratë gjatë mbledhjeve të kryesive në degët e PD në Kukës, Has dhe Tropojë. Nuk kam parë askund një diskriminim kaq të egër nga një qeveri kundër qytetarëve të vet. “Faji” i tyre i vetëm është se nuk votojnë Edi Ramën dhe janë kundër tarifës korruptive, varfëruese dhe izoluese të Rrugës së Kombit. Me mirënjohjen më të madhe për sakrificën e banorëve të qarkut të Kukësit, shpreha në çdo takim vendosmërinë e PD për të zhbërë modelin e Edi Ramës që varfëron qytetarët përmes vjedhjes, korrupsionit dhe zhvatjes së pasurive e parave të tyre. Me drejtimin e vendit nga PD, qytetarët nuk do të paguajnë asnjë lek për të kaluar në Rrugën e Kombit. Ajo do të çlirohet nga koncesioni korruptiv”, deklaroi Bardhi. Pra, kjo tregon se PD është duke u përgatitur për zgjedhje të parakohshme, të cilat sipas zyrtarëve të saj, do të ndodhin këtë verë.
Baza e prerë kundër koalicionit me LSI
Por gazeta ka mësuar se gjatë këtyre takimeve në fokus të diskutimeve ka qenë edhe marrëdhënia mes partive të opozitës. Sipas informacioneve, në takimit që ka zhvilluar zoti Bardhi, si dhe në takimet që kanë zhvilluar disa krerë degësh të PD në Tiranë dhe në rrethe, është vënë re se baza demokrate ka kundërshtuar një koalicion me LSI. Gazeta ka mësuar se baza demokrate është kundër bashkëpunimit të PD me LSI. Po ashtu, mësohet se në shumicën e këtyre takimeve, të deleguarve apo krerëve të degëve iu është kërkuar nga anëtarët dhe simpatizantët e partisë që të distancohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi një bashkëpunim i mundshëm me këtë forcë politike në zgjedhje, do të dëmtojë Partinë Demokratike. Pra, sikundër theksuan burimet, demokratët nuk e duan një bashkëpunim me LSI, pasi kjo e fundit do ta përdorë këtë raport për interesat e saj, duke përfituar në kurriz të demokratëve.
Asnjë koordinim me partinë e Kryemadhit
Ndërkohë, gazeta ka mësuar se PD nuk ka asnjë koordinimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim, si në bazë dhe organizim, ashtu edhe në nivel qendror. Rasti më flagrant që tregon se mungon koordinimi mes këtyre dy partive është reforma zgjedhore, ku secila palë po punon më vete dhe pritet të dalë me draftin e saj për këtë reformë. Megjithatë, i vetmi kontakt që Partia Demokratike ka pasur me LSI është takimi i dy ditëve më parë që kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar me aleatët në selinë blu, ku e pranishme ka qenë edhe vetë kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.