U bë i katërti që nga Partia Demokratike akuzohen si individë që kanë probleme me drejtësinë dhe që mbasi mohojnë në herën e parë, pastaj një nga një, ju dalin dhe “dekriminalizimet” që kanë harruar të tregojnë! Mirëpo e “bukura” është se kanë të përbashkët një diçka të rëndësishme!
Problemet e tyre janë me drejtësinë e vendeve ku kanë punuar si emigrantë! E përbashkëta sërish është se “janë kandidatura që kanë një jetë të tyre jashtë” dhe kjo padyshim është dhe një risi e “traktatit të dekriminalizimit” por që sigurisht e përbashkëta është se janë kandiduar me kritere të pranuara nga socialistët!.E përbashkëta tjetër e madhe është se si PS-ja dhe numri dy apo Balla si “ideologu” i të majtës “moderne” shqiptare dhe vetë lideri maximus Edi Rama, janë në “padijeni” të aktivitetit të tyre në bazë të rregullave të “traktatit dekriminalizues” që kanë firmosur me propozimin e Bashës dhe PD-së. Them “traktatit” sepse po të ishim shtet i së drejtës, ky ligj i dekriminalizimit do të ishte i turpshëm! Do të ishte fyes për drejtësinë! Sepse është detyrë e prokurorive dhe drejtësisë që të japin “biografinë” e kandidatëve dhe çdo qytetari shqiptar.
Por meqë në Shqipëri, as në kohën e qeverisjes së PD-së, as PS-së dhe as në këtë kohë nuk ka drejtësi, nuk ka gjykatë normale dhe as prokurori – duhet një traktat dekriminalizues që është një marrëzi ligjore, por që në fund të fundit, po nxjerr jashtë loje ish-emigrantë që drejtësia e vendeve mike i ka kapur dhe dënuar, falur dhe larguar, ose kërkuar për ti dënuar. Po pse, duhet patjetër që një pjesë e madhe e kandidaturave për Kryebashkiakë Socialistë të jenë me të kaluara si ish-emigrantë?! Po pra, që kanë punuar me vite atje. Mbase sepse lart në lidership mendojnë se duke punuar jashtë ke më shumë kontribute për PS-në. Apo më shumë kontribute për shoqërinë shqiptare. Apo pse duke punuar jashtë, kanë “edukatë të qartë perëndimore” në krahasim me socialistët e brendshëm që ju ka dalë kurrizi brenda vendit. Apo preferohen ish-emigrantë që kanë punuar një kohë të gjatë dhe janë pasuruar, sa për të parë qartë se “kanë ardhur për të bërë punën mirë dhe jo për të vjedhur, sepse janë të pasur vetë”?! Sepse në përgjithësi (ka dhe përjashtime) janë kaq me biznese dhe të pasur sa të përballojnë harxhime fushate dhe të tjera si këto! Po pse janë kaq shumë socialistë?!
Pse kaq shumë me “ideale” të majta?! Jo, se do ta kisha besuar po të ishin të djathtë – hahaha “aristokratë” apo konservatorë të ideve “liberal kapitaliste” që i kanë brumosur Sali Berisha dhe Lulzim Basha në të djathtën “bolshevike” shqiptare. Por jo, janë të majtë “den baba dem” të shkretët! Po pra, janë “socialistë” dhe kam përshtypjen se më shumë se “socialistë” janë “rilindistë” me parimet e një “rruge të katërt” e modelit “folkalbanianballkanik” kapitalizëm, ku nderohet i pasuri, i bëhet temena dhe konsiderohet i ndershëm! E përfaqësues i popullit mund të jesh po ishe i pasur dhe mundësisht të jesh pasuruar në mënyrë të “zgjuar” shumë shpejt dhe në emigracion! E nuk ka rëndësi fare se çfarë ke bërë andej! Po mirë, pse duhet të jenë kryebashkiakë xhanëm?! Që në përgjithësi janë dhe njerëz pa kontribute të qarta dhe në provincat e Shqipërisë! Po kjo është “rruga e katërt” e koncepteve rilindiste, për të mos pyetur dhe mos – më mirë thënë “pj..dhur” provincialët e majtë dhe bashkëpunuar mundësisht me periferitë e PD-së, për të bërë dhe atë që quhet “kompromis në bazë”.
Një alkimi patriotike biznesi. Si në Shkodër bie fjala. Si dje me kandidaturën e gjetur të majtë dhe sot me bashkëpunimin me Voltanën që ju thoshte “komunistë dhe bij komunistësh”! E në fakt disa janë ëëëë?! Megjithëse nuk dihet se ku janë më shumë aty, apo te partia Voltanës! Kurse rregullimi bëhet me këta që janë “bij pune kapitaliste në Perëndim” dhe nganjëherë të ngatërruar atje me trafik, drogë, vrasje, grabitje, përdhunime dhe rrahje”! Të tillë kryebashkiakë janë të preferuar përballë socialistëve që nuk vodhën njëherë, nuk pranuan të abuzojnë një ditë me postin dhe me punën, që nuk tentuan njëherë të bëjnë biznes të pandershëm, që nuk deshën të jenë injorantë dhe lexuan libra në ndryshim nga “bijtë e kapitalizmit” që shumica nuk ka nisur qoftë dhe një revistë të lexojë, e jo më një libër. Janë preferuar injorantë, por që kanë pasur “sukses” nganjëherë dhe duke i ikur me vrap policisë o greke, o italiane dhe belge, apo asaj të Londrës – se sa socialistë që zbatojnë ligjet, nuk i thyejnë ato, por që nuk janë të shkathët për t’ia hedhur bie fjala policisë apo dhe ligjit!
Të tillë maluketër i duheshin dhe të “majtës” moderne (librazhdiane) të sotme shqiptare. E më e bukura është se fajin e kanë ata poshtë që i votuan dhe jo lidershipi, kryetari që i urdhëroi t’i votojnë. Po pra, me ato ligjet e listave të mbyllura kur janë deputetë dhe me propozimet personale dhe aprovimet po personale, kur janë kryebashkiakë, por që emrin e tyre jua “kujtojnë” atyre poshtë ta propozojnë. Në fakt, e kanë bërë këtë “burrni” (shtabi drejtues i Rilindjes) dhe për tju dhënë një “satisfaksion” si aktorit me “famë botërore” që po shkon dëm si Sekretar i Përgjithshëm i PD-së dhe vetë kryeaktorit holandez (me shtetësi) Basha, që t’i akuzojnë dhe t’i gjejnë. Biles nganjëherë letrat që t’i lexojë zoti Bardhi, serviren nga vetë “akademia e rrugës së katërt folkballanike shqiptare” e cila lufton dhe me veten, kur tenderat kalojnë limitet e marrëzisë politike. Gjithsesi me këtë formë, kjo “akademi” mendon se plotëson dhe pluralizmin e munguar realisht në Shqipëri. Pra dhe bën vetë dhe merr vetë dhe shan vetë, por akuzën e servir, që të mos dalë sërish ajo vetë. E sigurisht ky është një talent i socialistëve të sotëm. I ngjashëm me dikur kur u fut në modë veshja si “Mao Ce Duni” rreth viteve 1965-70! Po pra dhe mbasi Enveri i shikonte se kush ishte veshur si shoku Mao, mbasi prishej me Kinën, i dënonte ata që ishin veshur me dok dhe kostumin, kasketën si ai. Po po, tipike e një akademie të”mrekullueshme”. /Nga Besi BEKTESHI