Për kryedemokratin Lulzim Basha, krimi i organizuar, korrupsioni dhe konkurrenca e pandershme, pritet të marrin fund me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet. Teksa dje ndodhej në Itali, ku është takuar me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë Pordenone-Udine, lideri demokrat ka lançuar platformën e PD për ekonominë, e cila sipas tij, lufton korrupsionin dhe krijon lehtësi fiskale për investitorët e huaj.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka rrënuar ekonominë, ndërsa theksoi se thithja e investimeve të huaja do të jetë prioritet i qeverisë së Partisë Demokratike. “Sot pata kënaqësinë të takohem me drejtuesit e Dhomës së Tregtisë në Pordenone-Udine. Diskutuam për sektorët me interes të anëtarëve të dhomës së tregtisë për të investuar në Shqipëri dhe potencialin e madh që ofron vendi ynë.
I njoha me platformën ekonomike të PD-së, lehtësirat fiskale, masat e menjëhershme për të luftuar korrupsionin dhe garantuar konkurrencën e ndershme, të cilat sot po i mbajnë investitorët larg vendit tonë. Thithja e investimeve te huaja do të jetë prioritet i qeverisë së PD, si mundësi për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve te reja të punës”, deklaroi ai. Ndërkohë, kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi dje një vizitë në Qendrën Operacionale të Emergjencave Civile në rajonin Friuli-Venezia-Giulia në Itali, ndërsa ka theksuar se ka rënë dakord që përvoja e tyre e jashtëzakonshme të transferohet edhe në Shqipëri.
“Tërmeti i 26 Nëntorit tregoi sa i papërgatitur është shteti për të reaguar ne situata të tilla. Prandaj e konsideroj emergjente dhe kam nisur hartimin e një plani për emergjencat civile që të jetë gati për tu vënë në zbatim në ditët e para të qeverisjes. Së bashku me partnerët tanë italianë kemi rënë dakord të ndërtojmë një qendër të emergjencave civile e cila të jetë e mirëtrajnuar, e mirëpajisur dhe e gatshme për të vepruar menjëherë bazuar në përvojën më të mirë që është ajo e Italisë dhe brenda Italisë ajo e Friuli-Venezia-Giulia. Ky ishte dhe qëllimi i takimeve me zyrtarë të lartë italianë dhe me drejtues e specialistë të qendrës së emergjencave civile në rajonin e Friuli-Venezia-Giulia. Është zotimi im që qeveria e ardhshme nuk do të gjendet e papërgatitur para fatkeqësive natyrore qofshin këto tërmete, përmbytje, zjarre etj., por do të kemi një instrument të përgjigjes së menjëhershme për t’iu ardhur menjëherë në ndihmë banorëve, për jetët njerëzore”, nënvizoi Basha në rrjetet sociale.