Dekriminalizimi ka bllokuar disa prej bashkive në vend dhe nga denoncimet e PD ky numër do të rritet. Shkodra e Vora janë pa kryetarë për shkak se fituesit në zgjedhje ishin të dënuar, ndërsa në Durrës Valbona Sako dha dorëheqjen. Por presidenti ka bllokuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Meta nuk e njeh 30 qershorin dhe nuk ka nxjerrë asnjë dekret. Kjo ka sjellë dhe reagimin e socialistëve, të cilët dje kanë kërkuar që kreu i shtetit të heqë dorë nga bllokada. Ishte deputeti Ervin Bushati që kërkoi nga presidenti që të nxjerrë një dekret për zgjedhje. “Presidenti duhet të caktojë një datë zgjedhjes. Nuk mund të kemi një president kaq kokëfortë që nuk i lejon qytetarët të zgjedhin dikë”, deklaroi Ervin Bushati. Në një studio televizive ai ka folur dhe për presidencën që Shqipëria mori në krye të OSBE.
Bushati tha se kryesimi i OSBE-së, tregon se vendi ynë është në një fazë maturie, ndërsa kujtoi se kryeministri Edi Rama është kryeministri i parë shqiptar që bën një vizitë zyrtare në Rusi, ndonëse në tagrin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme. Ai tha se kjo vizitë duhet parë në një këndvështrim pozitiv ku Shqipëria ulet në një tryezë me një nga vendet më të fuqishme të botës dhe mund të sjellë edhe shkëmbim ekonomik dhe turizmi. “Kryesimi i OSBE-së është një fazë maturimi. Kjo tregon se ne jemi të rritur sa të trajtohemi në tryezë si të barabartë. Pesha kryesore e këtij institucioni janë SHBA. Është një vlerë e shtuar me dinjitet për Shqipërinë të shkojë në SHBA si drejtues i OSBE. Është hera e parë që një kryeministër shqiptar viziton Shqipërinë.
Kjo duhet parë edhe për të qenë në tryezë me një nga vendet sot në botë dhe më të fuqishme. Mund të nisë shkëmbim ekonomik dhe turizmi. Kjo pjesë e koordinimit nuk ka të bëjë me funksionin e punës së përditshme. Pavarësisht se kush e ka rotacionin, nuk mund të bësh çfarë të duash. Postet janë koordinuese, por jo vendimmarrëse. Kjo nuk do të thotë se do bëjmë çfarë të duam me atë pikë”, tha Bushati. Bushati tha se Shqipëria luan rol koordinues në këtë kryesi dhe jo vendimmarrës, e për pasojë kjo nuk bën diferencë në përmbushjen apo jo të detyrimeve të saj përballë shteteve të tjera si dhe kritereve në hartimin e reformave.