Sesioni i ri parlamentar pritet të ngrejë siparin në 20 janar. Por me nisjen e tij, pritet që mazhoranca të rinisë punën atje ku e la: izolimi i presidentit Ilir Meta. Ky i fundit ka nisur një luftë të fortë me qeverinë, ndërsa gjithashtu ka tentuar herë pas here që të bllokojë institucionet e drejtësisë. Mirëpo, duket se nga ky vit Meta nuk do ta ketë më të lehtë të bëjë të tilla manovra, pasi Partia Socialiste do e kufizojë të drejtën e betimit te presidenti.
Në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar dy nismat e mazhorancës, sikundër është projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Këto ndryshime pritet të diskutohen në komisionet parlamentare, duke treguar se mazhoranca është e vendosur për të nxjerrë jashtë loje Metën.
I hiqet e drejta e betimeve
Interesant është fakti se në ligjet e depozituara në Kuvend, të cilët rrudhin kompetencat e presidentit Ilir Meta, socialistët propozojnë që paragrafi i parë i nenit 8 të ligjit aktual për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të ndryshohet, duke i vënë presidentit një afat prej 10 ditësh për të ftuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që të betohen në Presidencë dhe nëse kjo nuk ndodh, anëtari ja dërgon betimin të shkruar, sikundër bëri Arta Vorpsi. Sipas asaj që thuhet në draft, nga momenti që anëtari i Kushtetueses ia dërgon betimin me shkrim presidentit, quhet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Por përveç ndryshimeve në ligjin aktual për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca ka propozuar ndryshime edhe në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i dhënë zgjidhje së pari çështjes së SPAK. Me ligjin aktual anëtarët e SPAK betohen tek Presidenti i Republikës, por me ndryshimet e reja që kanë bërë socialistët, prokurorët dhe gjyqtarët që do luftojnë korrupsionin nuk kanë nevojë të presin t’i thërrasë presidenti për betim, pasi kjo kompetencë i është hequr plotësisht Ilir Metës.
“Mandati i prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme fillon në datën e ngritjes së tyre në detyrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, thuhet në draft-propozim. Pra, këto ndryshime kanë vlerë për anëtarët e tjerë që pritet t’i bashkohen SPAK, pasi 8 anëtarët e zgjedhur të kësaj strukture u betuan në Presidencë. Ndërkohë, ndryshime socialistët kanë bërë dhe sa i takon anëtarëve të Gjykatës së Lartë, teksa propozohet që këta gjyqtarë të betohen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe jo pranë Presidentit të Republikës. Pra, duket qartë që me nisjen e sesionit parlamentar, në fokus kryesor të axhendës së mazhorancës është izolimi i Ilir Metës, sikundër është heqja e të drejtës së betimeve nga Kushtetuesja, Gjykata e Lartë dhe SPAK. Kjo do të thotë se në finale kur të miratohen këto ndryshime, presidenti Ilir Meta del jashtë loje, pasi nuk do të ketë më kompetenca si më parë.
PS jep detajet
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja u shpreh pak ditë më parë se gjatë diskutimit të këtij drafti që pritet të nisë në janar në komisionet parlamentare, do të futen edhe alternativa të tjera. Sipas tij, përveç alternativës që një anëtar i Kushtetueses do të betohet në këtë gjykatë, e njëjta gjë do të ndodhë edhe për anëtarët e tjerë të institucioneve, të cilët mund ta bëjnë betimin në institucionin ku janë emëruar. “Po ashtu dhe për institucionet e tjera që kanë këtë detyrim në rast se nuk e respektojnë, kjo ceremoni te zhvillohet në institucionet e emërtesës”, deklaroi Manja. Ndërkohë, në rast se anëtari i zgjedhur apo i shpallur i emëruar nuk paraqitet për të bërë betimin, bie mandati.