Situata brenda Partisë Socialiste duket se nuk është dhe aq e qetë. Ditët e fundit është treguar se ka shumë pakënaqësi dhe divergjenca mes anëtarëve, duke filluar nga baza e deri në qendër. Këtë javë u mbajtën zgjedhjet në disa degë dhe pati konfrontime, sherre e akuza mes socialistëve.
Por edhe në qendër situata duket se nuk është më e qetë. Instituti i Studimeve Politike, i cili financohet nga Soros dhe disa ambasada, ka publikuar dje një raport mbi aktivitetin e Parlamentit gjatë sesionit që lamë pas dhe ka treguar se në PS janë 6 deputetë që nuk i janë bindur qeverisë.
“Ligji me më shumë “devijime” në votën politike “kundër” grupit të PS është nisma ligjore e deputetit I. Beqaj, për faljen e gjobave të vendosura nga AKU. Për këtë nismë PS votoi kundër, deputeti Beqaj votoi “pro”, si dhe tre deputetë të PS, Ditmir Bushati, Vasilika Hysi dhe Almira Xhembulla vendosën të abstenojnë. Deputeti Bushati ka abstenuar edhe në dy votimet politike të iniciuara nga kryeministri Rama, të njohur si paketa anti-shpifje, konkretisht ligji për mediat audio-vizive dhe ai për komunikimet elektronike në RSH. Votë tjetër ndryshe nga grupi ishte vota abstenuese në dy raste e deputetit Fatmir Xhafaj, e para për rrëzimin e dekretit të Presidentit lidhur me kthimin e ligjit për Akademinë e Shkencave dhe e dyta për nismën ligjore të kryeministrit Rama “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”. Po ashtu deputetja Blerina Gjylameti votoi ndryshe nga grupi, me votë abstenuese për projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme’”, thuhet në raport.
Kritikat e Xhafajt
Në raport tregohet se Xhafaj përveç votave ndryshe, në sallën e Parlamenti ka folur edhe kundër qeverisë. Sipas ISP, rasti më i fundit është ai i tërmetit. “Qeveria do t’i bënte një shërbim të mirë vendit nëse në reflektim të kësaj që përjetuam dhe nevojës për t’u përballur me dëmet, të përgatiste e të bënte shumë shpejt publike një strategji të qartë reflektimi, të shoqëruar me një plan serioz veprimi. Më së paku, është domosdoshmëri nevoja për dokumentimin shkencor të dëmeve, azhurnimin e hartës sizmike të vendit, ndërmarrjen e një analize shkencore për përcaktimin e zonave problematike, të cilat sjellin risqe të mëdha nga tërmetet për shkak të ndërtimeve të paligjshme, ashtu si dhe për digat, urat, rezervuarët, shtesat e kateve e të objekteve pa cilësi, të legalizuara tashmë, e të tjera të tilla”, ka thënë ish-ministri Xhafaj. Duhet theksuar se pasi u shkarkua nga posti i ministrit të Brendshëm, Xhafaj nisi një luftë të fortë në prapaskenë kundër kryeministrit. Kohët e fundit qëndrimet e tij kanë qenë më të buta, por sidoqoftë kritikat i ka vijuar.
Kritikat e Bushatit
Deputeti më kritik mbetet ish-ministri Ditmir Bushati. Në total ai ka votuar në 24 raste në pakicë me votën e shumicës në mazhorancë. Bushati ishte disa herë kritik në Parlament, ishte deputeti i vetëm i mazhorancës që abstenoi në votimin e paketës anti-shpifje, por edhe një prej zërave të vetëm kritikë në aktivitetin e Komisionit të Jashtëm parlamentar në Parlament. Më 6 nëntor në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, Bushati ndërhyri disa herë duke argumentuar dobësitë, kundërshtitë dhe problematikat e projektrezolutës së propozuar nga kreu i grupit të PS T.Balla.
Midis të tjerave ai deklaroi: “Prandaj po ju them: mos ta fusim veten në ujërat e turbullta që nuk e ka futur asnjë Parlament. Nuk ka një rezolutë të parlamenteve demokratike në Shqipëri, pas ‘90-ës, që të jetë marrë me emra shtetesh. Koha kur ne u shpallnim luftë shteteve të ndryshme ka përfunduar më 8 dhjetor 1990”. Edhe në muajin shtator në fjalën e tij në seancë plenare
deputeti kritikoi qasjen ndaj integrimit dhe diasporës, thekson raporti.