lotësimi i vendeve të tjera vakante në Gjykatën Kushtetuese rrezikon sërish të kthehet në arenë përplasjesh . Mazhoranca dhe presidenti kanë nisur një betejë të fortë mes tyre për Kushtetuesen dhe konflikti ende nuk ka marrë zgjidhje. Por në datën 15 Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të mblidhet për të diskutuar mbi vakancat e lëna nga Fatos Lulo, Besnik Imeraj dhe Besnik Muçi.
Por ajo që bie në sy nga lista e kandidatëve është fakti se ka emra të njëjtë që kanë shfaqur interes për të tre vakancat. Por nëse kthehemi pas në kohë, zanafilla e konfliktit mazhorancë-president është se për 4 vakancat e shpallura, 2 nga Kuvendi dhe 2 nga Presidenca shfaqën interes të njëjtët emra. Por nëse i hedhim një sy edhe listës për tre vakancat e fundit të shpallura për në Kushtetuese, bie në sy se edhe këtu të njëjtët emra kanë shfaqur interes për të tre vakancat.
Por çfarë sjell shfaqja e të njëjtëve emra për vakanca të ndryshme? Kjo gjë ka sjellë përplasje të fortë mes institucioneve në vend. Nëse për vakanca të ndryshme do të kishin shprehur interes njërëz të ndryshëm, atëherë përplasja mazhorancë-president do të ishte shmangur, për arsye se KED do të dërgonte në kohë të ndryshme listat me emrat e kandidatëve. Pra kjo do të thotë se procedurat për plotësimin e vakancave do të ishte mbyllur në kohë të ndryshme.
Ja emrat për 3 vendet vakante
Për tre vendet vakante të shpallura për në Gjykatën Kushtetuese, bie në sy se janë të njëjtët emra që kanë shfaqur interes. Për vakancat e lëna nga gjyqtari Fatos Lulo, gjyqtari Besnik Imeraj dhe gjyqtari Besnik Muçi aplikojnë Dedë Kasneci, Shaqir Hasanaj dhe Vjosa Bodo Mujo. Këta emra pritet që të ashpërsojnë më tepër përplasjen mes mazhorancës dhe presidentit, të cilët po e përdorin Kushtetuesen si fushë beteje mes njëri-tjetrit.
Por në ditët në vijim do të shihet se si do të interpretohen kandidaturat e njëjta për tre vendet vakante. Emrat e tjerë që kandidojnë për vakancën e Fatos Lulo janë: Ardita Buna Alsula, Klodian Rado dhe Regleta Panajoti. Ndërsa për vakancën e gjyqtarit Besnik Imeraj kandidojnë: Envi Hicka, Prelë Martini dhe Vasil Bendo. Lista vijon edhe me vakancën e Besnik Muçit, për të cilën kandidojnë: Altin Binaj, Artan Spahiu, Eugen Papandile, Gentian Mete, Sergjio Mazreku, Sinan Tafaj, Sonila Bejtja dhe Zhaklin Peto. Ishte vetë KED ajo e cila njoftoi se në datën 15 do të bëhet renditja e kandidatëve përmes vlerësimit dhe pikëzimit.
“Procedura e shortit për caktimin e anëtarëve relatorë për ndjekjen e procedurave të verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për vendet vakante si më poshtë : Vendi vakant, vakancë e parakohshme, në Gjykatën Kushtetuese, shpallur në datën 28.08.2018 dhe rishpallur në datën 21.08.2019 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për shkak të mbarimit përpara kohe të mandatit të gjyqtarit Fatos Lulo; Vendi vakant, vakancë e parakohshme, në Gjykatën Kushtetuese, shpallur në datën 07.02.2018 dhe rishpallur në datën 27.09.2019 nga Presidenti i Republikës, për shkak të mbarimit përpara kohe të mandatit të gjyqtarit Besnik Imeraj; Vendi vakant, vakancë e parakohshme, në Gjykatën Kushtetuese, shpallur në datën 22.11.2019 nga Presidenti i Republikës për shkak të mbarimit përpara kohe të mandatit të gjyqtarit Besnik Muçi”, thuhet në njoftimin e KED.