Me një komunikatë zyrtare, OSBE ka njoftuar se Presidenca e Republikës së Shqipërisë i ka dërguar përfaqësuesit të saj për Lirinë e Mediave, Harlem Desir, gjithë dokumentacionin sqarues për arsyet që çuan në kthimin në Parlament të ligjit për Mediat.
Desir konfirmon angazhimin për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare në përmirësimin e ligjit, “në veçanti për sa i përket nivelit të gjobave dhe respektit të principit të proporcionalitetit”. Përfaqësuesi i OSBE-së rikujton në deklaratën e tij se “asgjë e pranishme në ligjin e ri duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e mediave” duke shpresuar se “një lexim i ri do të mund të çojë në një sqarim dhe përmirësim të ligjit sipas standardeve ndërkombëtare”.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në parlament ndryshimet në dy ligje “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”. Sa i takon ligjit të parë, Presidenti Meta vlerëson se ai bie në kundërshtim me parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit.