Reforma zgjedhore ka bërë dje bashkë mazhorancën, opozitën jashtë parlamentare dhe atë parlamentare. Edhe pse Lulzim Basha e Monika Kryemadhi deklaruan disa herë se nuk do të ulen në asnjë tryezë me Damian Gjiknurin, pasi ai është arkitekti i vjedhjes së votave, dje Gjiknuri, Bylykbashi, Vasili dhe Rudina Hajdari u ulën bashkë për të gjetur një zgjidhje për reformën zgjedhore. Në mënyrë krejt të fshehë, prej disa ditësh palët kishin nisur negociatat dhe madje ishte bërë gati dhe ambienti i takimit.
Në mëngjes herët u bë e ditur se do të bëhej një takim në ambientet e Pallatit të Kongreseve, takim i cili rezultoi i suksesshëm. Por gazeta ka mësuar se ishin ndërkombëtarët ata që detyruan Bashën dhe Kryemadhin të ulen në tryezën e dialogut dhe t’i japin fund deklaratave dhe thirrjeve për protesta e revolta. Ashtu siç ndodhi për reformën në drejtësi, apo ashtu siç ndodhi në krizën e 2017, edhe këtë herë ndërkombëtarët detyruan opozitën të heqë dorë nga kokëfortësia e saj. Sipas burimeve, SHBA, Britania e Madhe, OSBE dhe BE kanë negociuar në prapaskenë që palët të bëhen bashkë. Ndërkohë duhet theksuar se PD-LSI kapërdinë sulmet ndaj Gjiknurit, pasi Vasili e Bylykbashi shtrënguan fort duart me të.
Detajet
Takimi i djeshëm mund të quhet i suksesshëm, pasi palët dolën me një dokument të përbashkët. PS, PD, LSI dhe opozita parlamentare bien parimisht dakord që reforma zgjedhore të bëhet me konsensusin e të gjithëve dhe në ato raste ku nuk gjendet emëruesi i përbashkët, do të futet në lojë OSBE. Dokumenti i përbashkët përmban disa pika, ku duket se del jashtë loje Komisioni i Reformës Zgjedhore. Shumë shpejt do të ngrihet i ashtuquajturi Këshilli Politik me përfaqësues të opozitës, drejtuesve të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvend. Më tej bëhet e ditur se reforma do të mbyllet brenda 15 marsit, ndërsa janë bërë të ditura dhe çështjet që do të shqyrtojë Këshilli Politik.
“Palët e përfshira angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve objekt i punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore, përfshirë rekomandimet e OSBE/ODHIR dhe për çështjet të cilat nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE/ODHIR me qellim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme”, thuhet aty. Më tej theksohet se projekti përfundimtar i dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti, do të miratohet nga Kuvendi në përputhje me procedurat parlamentare. Shumica angazhohet që të mos kryejë ndryshime në komisionin e reformës zgjedhore dhe në seancë plenare në tekstin e miratuar dhe dakordësuar mes palëve”, theksohet më tej. Po ashtu bëhet e ditur se do të bashkëpunohet ngushtë me OSBE. Pikat e mësipërme tregojnë se drafti do hartohet jashtë Parlamentit dhe deputetët e opozitës do duhet ta votojnë, pasi kërkohen 84 vota.
Dakordësi për të mos lëvizur sistemin
Në draftin e firmosur dje bie në sy fakti se nuk ka asnjë pikë për ndryshimin e sistemit. Palët do të fokusohen kryesisht të depolitizimi i administratës zgjedhore dhe financimi i partive. Edhe pse opozita parlamentare ka kushtëzuar votën me ndryshimin e sistemit, për momentin kjo gjë është në plan të dytë. Ndërkohë në tryezën e djeshme ra në sy prezenca e Vasilit. Gazeta e theksoi kohë më parë se LSI i druhej një pazari PS-PD dhe ka ndërhyrë për të mos lejuar diçka të tillë. E njëtja gjë ndodhi dhe në takimin e 2016 Rama-Basha për reformën zgjedhore./Sot