Mazhoranca, opozita jashtëparlamentare dhe ajo parlamentare kanë caktuar 10 përfaqësuesit që do të ulen nesër në tryezën e Këshillit politik për diskutuar mbi Reformën Zgjedhore.
Mbledhja e nesërme e Këshillit politik do të drejtohet nga dy bashkëkryetarët e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të përfaqësohet nga Ervin Bushati, grupi Parlamentar Demokrat nga Myslim Murrizi, ai i pavarur nga Nimet Musai.
Ndërsa opozita jashtëparlamentare ka vendosur të caktojë 5 përfaqësues në këtë këshill. Dy nga përfaqësuesit janë edhe anëtarët e tryezës së djeshme që solli marrëveshjen e shumëpritur për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili. Ndërkohë tryezës do t’i shtohen edhe Mesila Doda nga PDIU, Fatmir Mediu nga PR dhe Vangjel Dule, PBDNJ. Ky vendim u mor mbrëmjen e sotme në mbledhjen e aleatëve të djathtë në selinë blu, e cila zgjati për rreth dy orë.
Ditën e nesërme, Këshilli Politik i dalë nga tryeza e PD-PS-LSI do të zhvillojë një mbledhje me dy bashkëkryetarët e reformës zgjedhore Daminan Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, si dhe ekspertët e komisionit për të adresuar projekt propozimet përkatëse për reformën zgjedhore.
Më herët Basha mblodhi edhe Kolegjin e Kryetarëve, si dhe ish-deputetët demokratë të cilët dogjën mandatin rreth një vit më parë.
Në mbledhje u propozua edhe mbajtja e një proteste simbolike, e cila qe pikërisht ideja e një prej 61 kryetarëve të Partisë Demokratike në rrethe gjatë mbledhjes së Kolegjit të Kryetarëve,por ende nuk dihet cili do të jetë vendimi kryedemokratit Lulzim Basha. Dy data të mundshme për zhvillimin e kësaj protest janë 20 dhe 22 shkurt që përkojnë me 1-vjetorin e djegies së mandateve, ndërsa nuk ka ende një vendimmarrje.
m.v./Shqiptarja.com