Dosja hetimore ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla pritet të jetë testi i parë për Prokurorinë e Posaçme, sa i takon luftës ndaj korrupsionit. 2 vite më parë nisi një hetim i thellë ndaj Llallës për 4 vepra penale, por ende sot dosja ndodhet në sirtarët e prokurorisë.
Sipas burimeve të gazetës, çështja u transferua nga Krimet e Rënda tek SPAK dhe tani e ka në dorë Prokuroria e Posaçme fatin e ish- kryeprokurorit. Në tetor të 2019, prokuroria kërkoi zgjatjen e hetimeve për këtë çështje, deri në dhjetor. Kjo kërkesë u pranua nga gjykata. Ish-kryeprokurori Llalla e çoi çështjen në Apel, por u rrëzua. Pra, momentalisht afatet hetimore për ish- kryeprokurorin kanë skaduar dhe Prokuroria e Posaçme duhet të vendosë se çfarë do të bëjë me dosjen: do e dërgojë për gjykim, do kërkojë zgjatje të hetimeve apo do i pushojë hetimet. Nëse do të shohim veprimet e SPAK që nga nisja e funksionimit, disa çështje të krimit të organizuar, janë kaluar në gjykim. Kjo do të thotë se edhe në rastin e Llallës mund të kemi të njëjtën lëvizje.
Akuzat ndaj Llallës
Njeriu që kishte në duar goditjen e krimit, Adriatik Llalla prej vitesh është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, tashmë nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Por çfarë ndodhi? Ish- kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Adriatik Llalla akuzohet nga ish- kolegët e tij për 4 vepra penale: Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurisë, mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi, pastrimit i produkteve të veprës penale, si dhe shpërdorim detyre. Gjatë 2 viteve, është përfolur gjerë e gjatë për akuzat ndaj tij, duke i kushtuar vëmendje të theksuar kalimit në kufi të shumave monetare më shumë sesa e lejon ligji. Ndërsa ligji parashikon që çdo shtetas duhet të deklarojë nëse ka mbi 10 mijë euro, ndërsa ish- kryeprokurori ka pasur më shumë se kaq.
Skema e pastrimit të parave
Gazeta ka siguruar informacione nga dosja hetimore e prokurorisë, ku tregohet e si ish-kryeprokurori dyshohet se ka kryer pastrim parash. Prokuroria ka dyshime se paratë e vëna nga korrupsioni janë investuar në prona dhe më pas është bërë ndryshimi i vlerës së tyre. Në bazë të deklarimeve të pasurisë që ka bërë Llalla pranë ILDKP, ai çdo vit ka bërë rivlerësim të tokave. Ajo që bie në sy është se Llalla ka blerë toka shumë lirë fillimisht dhe më pas ka deklaruese se i ka shitur shumë shtrenjtë. Për shembull, në vitin 2007 Llalla ka deklaruar një ullishte në Bathore, blerë 1.5 milionë lekë. Në vitin 2011 ai e rivlerëson pronën në vlerë 21 milionë lekë të reja.
Ndërsa po e njëjta pronë në vitin 2016 është shitur 249 mijë euro. Po ashtu ndryshime në vlerë ka pasur dhe për apartamentin në Durrës, tani i sekuestruar. Ai është blerë në mars të vitit 2012 në vlerën 2.2 milionë lekë të reja, ndërsa në prill po 2012, ai e ka rivlerësuar në rreth 5 milionë lekë të reja. E njëjta gjë ka ndodhur me një tokë në Qeha Shytaj në Tiranë. Ai e ka blerë në dhjetor të vitit 2016 në vlerën 4.5 milionë lekë të reja. Por në maj të 2017 është rivlerësuar në 36 milionë lekë të reja, ose 360 milionë lekë të vjetra. ILDKP ka zbuluar se e njëjta gjë ka ndodhur dhe me prona të tjera, kryesisht toka, të cilave u është ndryshuar vlera në periudha shumë të shkurtra kohore. Këto lëvizje të tij kanë bërë që të ketë dyshime për pastrim parash dhe pronat janë vënë në sekuestro.