Kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj, ka bërë dje bilancin e arrestimeve mbi pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. 31 zyrtarë dhe ndërtues kanë përfunduar në pranga, ndërsa 7 të tjerë janë shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Gjatë një konference për mediat, Imeraj bëri me dije se janë verifikuar qindra pallate, banesa dhe institucione shtetërore.
Imeraj deklaroi se janë 25 institucione të dëmtuara në qarkun e Tiranës, ndërsa 134 janë pallate, sakaq shtëpi private janë mbi 200, që janë shpallur të pabanueshme dhe ku do të kryhen hetimet.
“Janë evidentuar 25 institucione, 134 pallate dhe 200 banesa të dëmtuara në qarkun e Tiranës nga tërmeti i 26 nëntorit. Është arritur në konkluzionin se janë evidentuar dhe identifikuar autorët, që u bënë shkak e pasojë për arrestimet e djeshme, numri i të cilëve ka arritur në 31”, tha prokurorja Elisabeta Imeraj. Mes të tjerash Imeraj ka sqaruar se arrestimet janë bërë për ndërtesat që janë shpallur të pabanueshme dhe ku janë kryer hetime. Sakaq kryeprokurorja e Tiranës, paralajmëroi arrestime të reja pasi sipas saj hetimet do të vijojnë në çdo objekt të dëmtuar.
Hetimet do të vijojnë
Imeraj tha se në dokumentet e siguruar nga hetimet është vërejtur se nga këta persona të arrestuar, zyrtarë dhe ndërtues ka të dhëna fiktive ndryshe nga ata që janë deklaruar në të vërtetë. Kësisoj ndërtuesit kanë ndryshuar projektimet. Sipas Imerajt andaj është edhe vepra për “Falsifikim detyre”, dhe së fundi edhe ajo e “Ndërtimit të paligjshëm”. Imeraj u shpreh se hetimi do të vijojë edhe në ndërtesat brenda Tiranës që janë konstatuar të pabanueshme.
“Prokuroria ka hetuar në drejtim të identifikimit të autorëve me detyra përkatëse në institucionet shtetërorë që kanë pasur detyrë të dorëzojnë informacionet, për kolaudim ndërtesash, apo të bëjnë një kontroll të atyre për të cilat kanë dhënë lejet e ndërtimit. Është marrë në konsideratë dokumentacioni i çdo banese që është shpallur e pabanueshme, për të parë nëse veprimet kanë qenë në përputhje me ligjin apo jo. Ndaj është ngritur akuza për shpërdorim detyre. Nga dokumentacioni janë zbuluar edhe elementë ku janë pasqyruar të dhëna fiktive të ndryshme nga ato të pasqyruara në realitet. Ndaj është edhe vepra për falsifikim detyre dhe së fundi edhe ajo e ndërtimit të paligjshëm.
Po hetohen në mënyrë të plotë të gjitha objektet që me akt konstatimi janë nxjerrë të pabanueshme. Janë të shumta në numër, por gjej rastin të falënderoj kolegët për impenjimin e tyre. Konkludimi i hetimeve është bërë për një pjesë të tyre. Falënderoj Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera që kanë ndihmuar në këtë hetim të nisur nga nëntori. Jemi në vijim të procesit për zona të tjera që nuk përfshijnë vetëm Vorë, Kashar, Farkë, por ka një shtrirje për të gjitha ndërtesat në Tiranë që janë konstatuar të pabanueshme”, tha Imeraj.
Hetimi shtrihet në Kamëz dhe në zonën e Freskut
Teksa numri i të arrestuarve ka shkuar në 27, nga këta ndërtues e zyrtarë, detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja e hetimit për dëmtimet nga tërmeti i 26 nëntorit që la pas shumë viktima dhe të plagosur. Nga hetimet rezulton se 140 objekte nuk kanë dosje projektimi sizmik kur janë ndërtuar. Ndërkohë edhe materialet e ndërtimit sipas prokurorisë nuk janë shoqëruar me certifikatë teknike sipas standardeve. Sakaq në dosje thuhet se hetimet e Prokurorisë pas Farkës, Kasharit e Vorës janë shtrirë edhe në zonën e Freskut dhe në Kamëz. Prokuroria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të denoncojnë të gjitha rastet që pretendojnë se janë mashtruar./ARBJONA ÇIBUKU