Nga Anri Bala
Më në fund u shtrinë e u shtriqën, u zgërlaqën dhe heshtën. Përse dogjën e desh na dogjën në sy të botës, e në sy të gjithë atyre që kanë sy?!
U puthën pllaq e plluq, si të përmalluar nga i poshtri vit i ndarjes së madhe, ku të “poshtrit” i mbajti me karrige e ofiqe, e të “mirët” i nxori në rrugë të madhe, duke sokëllitur me tërsëllim për të zezën që i gjeti.
Të njëjtët fytyra, të njëjtët maskarenj, të njëjtët hajdut, të njëjtët grabitsa, të njëjtët klloun, që kllounadën e tyre për nga përsosmëria, do ta kishte zili edhe babai i kllounve, mashtruesi “5 ditë mbret” Otto Witte.
Tani këto kopje të Oto-s, pa hequr as mantelet e djallit, që mbretëruan jo 5 ditë por shumë vite, duan të na bindin se nuk duhet të jenë aty ku janë, se meritojnë më shumë se rruga, meritojnë rroga, ofiqe, ndere dhe respekte, se nuk janë ata që ikën nga sytë këmbët, se janë engjëj, që gabimisht i futi djalli në qerthullin e tij dhe duan të pastrohen… pas pushtetdhënies.
Për të kapur edhe një herë pushtetin, ata e dinë mirë se duhet të gënjejnë pa i’u dridhur qerpiku, e kur je tallur rëndë duhet të trimërohesh me tallbythjen tënde, duke ngulur këmbë për të na bindur, se bëre më të mirën për popullin, për të zhdukur krimin, korrupsionin, vjedhjen, rryshfetin, shitblerjen dhe marifetin e uzurpimit të karriges…
E për marifetin e uzurpimit të karriges, duhet të uleshin si kopila mbi hurin që mbajtën në dorë për “kriminelët e krimit të krimit pa emër”… Shqipërinë.
Ndaj mos prisni asgjë, sepse pesë ditët e pushtetëndrrës së tyre do mbarojnë, e shpejt do ta gjejnë veten mes katër rrugëve si “mbretër” lakuriq, duke mbuluar allatet me duar të tmerruar pasi ta kuptojnë se janë përsëri… kllounët me të cilët tallen e qeshin të gjithë.
Ata nuk mund të luftojnë asgjë, sepse janë të luftuar nga frika e zhbërjes dhe shkërmoqjes si politikan. Ata nuk mund të ndryshojnë dhe fitojnë asgjë, se janë pjella të humbjes, por kockat për lëpirje i pranojnë, tani që kanë mbetur si qen të zgjebosur, të lidhur me zinxhirë nga padroni i padukshëm… ndërkombëtari./Ekskluzive.al