Ndërkombëtarët duken të vendosur për të mos lejuar që reforma në drejtësi të shkojë në qorrsokak. Në politikën shqiptare ka shumë emra që nuk e duan reformën dhe në jo pak raste është tentuar dështimi apo kapja e saj. Mirëpo duket se ndërkombëtarët janë sy e veshë në këtë aspekt. Sipas burimeve, në të gjitha institucionet e reja të drejtësisë janë atashuar ekspertë të EURALIUS dhe OPDAT, të cilët monitorojnë nga afër të gjithë punën.
Duke filluar nga KPK, KPA, IKP, KLP, KED dhe KLGJ, e deri te SPAK e BKH. Në çdo mbledhje të KLP dhe KLGJ ka ekspertë të BE-SHBA, ndërsa te KED ata kanë marrë pjesë dhe në diskutime. Sa i takon SPAK do të ketë një zyrë të posaçme me ekspertë të ardhur nga Uashingtoni dhe Brukseli. Ndërkohë ditët e fundit EURALIUS ka hapur aplikime për ekspert shtesë, të cilët do të marrin pjesë në funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Element tjetër që tregon angazhimin ndërkombëtar është se çdo udhëzim, rregullore apo vendim që merret nga KLGJ, KLP, KED, KPA dhe organet e vetingut, është me asistencën e EURALIUS dhe OPDAT. Pra ndonëse disa prej institucioneve po sulmohen se po marrin vendime të njëanshme, duhet theksuar se BE dhe SHBA kanë qenë të pranishme aty dhe kanë asistuar në çdo aspekt.
Dokumentet
Gazeta ka siguruar një dokument të ERUALIUS ku bëhet një panoramë e reformës në drejtësi, organeve të reja dhe mënyrës së tyre të funksionimit. Sa i takon luftës ndaj korrupsionit, sinjalet janë se SPAK dhe BKH do të jenë mjaft efektive. “Do të ngrihet një strukturë e cila përbëhet nga: Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ajo do të jetë plotësisht e pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm në aspektin hetimor. Do të ketë 10 ose më shumë prokurorë. Ndërsa Byroja e Hetimit është një sektor i specializuar i policisë gjyqësore. Ajo do të asistojë në mbledhjen e provave për veprat penale që janë kompetencë e Prokurorisë së Posaçme. Janë dhe Gjykatat Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Shkalla e Parë dhe Apeli), që do të gjykojnë çështjet e Prokurorisë Speciale”, thuhet në raport.
Më tej bëhet e ditur se do të ketë një monitorim shumë të rreptë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK, me qëllim që të mos kapen politikisht dhe të bien pre e shantazheve. “Përpara emërimit apo transferimit duhet të përmbushen një sërë kushtesh sigurie nga prokurorët, gjyqtarët, anëtarët e BKH dhe stafi administrativ i strukturave. Një zyrë e posaçme monitorimi do të bëjë kontrollin periodik të telekomunikacioneve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, hetuesve dhe familjarëve të tyre. Një komision ad hoc do të verifikojë asetet dhe llogaritë bankare të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, theksohet më tej. Në raport thuhet gjithashtu se emërimet në Gjykatën Kushtetuese do të jenë apolitike. Deri më tani ishte politika që i emëronte, ndërsa sipas EURALIUS, KED do të garantojë që të mos ketë asnjë ndikim politik.
Zyra e Ndërkombëtarëve
Në ligjin për organet e luftës antikorrupsion bëhet e ditur se në SPAK do të ngrihet një zyrë e posaçme, ku do të atashohen ekspertë ndërkombëtarë për të mbikëqyrur luftën ndaj korrupsionit. “Një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e
Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të
japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit,
për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Komisioni i
Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të
punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve
dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, thuhet në ligj.