Gazeta ka siguruar listën e plotë të ekspertëve të EURALIUS V, të cilët po angazhohen në zbatimin e reformës në drejtësi. Disa prej tyre kanë vite në Tiranë, ndërsa shumë të tjerë janë emra të rinj. Ata janë ekspertë në fusha të caktuara me nga mbi 15 vite përvojë. Mes tyre është Thomas Traar nga Austria.
Ai është me profesion gjyqtar. Nga viti 2006 deri në vitin 2011, ishte pjesë e Departamentit të Ligjit Ndërkombëtar të Procedurës Civile dhe Penale të Ministrisë Federale të Drejtësisë në Austri. Pjesë e grupit është dhe një gjyqtar i EULEX. Bëhet fjalë për Rene van Veen nga Holanda. Ai ka shërbyer fillimisht si gjyqtar në Holandë, ndërsa më pas u emërua gjyqtar i EULEX në Kosovë. EURALIUS V përveç Koraljka Bumcit dhe Tamara Laptos, do të ketë pjesë dhe një tjetër ekspert që ka asistuar në luftën antikorrupsion në Kroaci.
Bëhet fjalë për Kestutis Vaskevicius. Ai ka udhëhequr programin e BE për asistencë dhe trajnime ndaj sistemit të drejtësisë në Kroaci. Pra duket se ngritja e organeve të drejtësisë do të udhëhiqet nga ekspertët të cilët ndihmuan në shfarosjen e korrupsionit në Kroaci. Mes ekspertëve është dhe italiani Gianluigi Pratola, i cili ka qenë në Shqipëri pjesë e EURALIUS III. Ai e nisi karrierën si gjyqtar në Itali më 1991.
Në vitin 2013 u bë Prokuror i Përgjithshëm në Gjykatën Supreme. Ai ka qenë personi që ka udhëhequr reformën antikorrupsion në Maqedoni. Një tjetër emër është polonezi Miroslau Giembicki. Ai do asistojë në fushën e IT. Ai ka studiuar pranë Universitetit Teknologjik të Varshavës. Ka një eksperiencë disa vjeçare me analizimin, specifikimin dhe zhvillimin e sistemeve të IT për institucionet publike, në vende si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Turqia e Shqipëria. Ai do merret me ringritjen e sistemit elektronik në gjykata. Pjesë e grupit është dhe një shqiptar, i cili punon për llogari të Holandës. Bëhet fjalë për Idlir Pecin.
Ai ka mbajtur postin e zv/ministrit të Drejtësisë dhe të zv/ministrit të Mbrojtjes. Pastaj dy emrat e njohur për publikun janë Agnes Bernhard dhe Koraljka Bumci. Të dyja kanë vite që janë pjesë e EURALIUS. Agnes Bernhard është shefja e misionit, ndërsa Bumci ka qenë gjyqtare në USKOK, njësia speciale antikorrupsion në Kroaci. Këta janë emrat e njohur dhe që do mbajnë në shina reformën në drejtësi, pasi në total EURALIUS V ka rreth 40 ekspertë. Kjo tregon se ndërkombëtarët po punojnë që reforma të zbatohet si duhet dhe të mos ketë asnjë devijim.