Ish-juristi i OSSH, Romeo Kara, ka reaguar dje për pushimin e hetimeve mbi padinë që ai bëri bashkë me Kuvendin, për aferën e privatizimit të ish-OSSH nga CEZ. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ai ka treguar se si e priti pushimin e hetimeve. Kara deklaroi se dosja ishte e kompletuar dhe prokuroria kishte në dorë prova që jo vetëm të arrestonte, por dhe të sekuestronte pronat e Berishës. Megjithatë, ai u shpreh se drejtësia tregoi dhe një herë se është e kapur.
-Zoti Kara, Gjykata e Tiranës vendosi të pushojë hetimet për skandalin e privatizimit të ish-OSSH nga CEZ. Ishit ju që zbuluat skandalin dhe kjo padi bëri që të ishit dhe në qendër të sulmeve nga familja Berisha. Si ndjeheni sot që gjithë mundi juaj ra poshtë?
Shija është e hidhur, por jo e papritur për mua. Unë jam përballur mjaft intensivisht kohët e fundit me prokurorinë dhe gjykatën dhe kam qenë tërësisht i përgatitur për këtë qëndrim të gjykatës dhe prokurorisë. Fakti që unë isha në qendër të sulmeve të familjes mafioze Berisha, e vërteton më së miri vërtetësinë dhe pozitivitetin e qëndrimit tim lidhur me çështjen në fjalë në veçanti dhe politikën në përgjithësi.
E them këtë të fundit sepse kjo politikë 30-vjeçare është thjesht një krijesë dhe skemë së pari e Berishës e më pastaj e të tjerëve që kanë kopjuar pikërisht atë në zhbërjen e vlerave të shoqërisë sonë si dhe të parametrave shtetërorë. Ju siguroj se mundi im nuk ka rënë poshtë dhe unë nuk kam qenë kurrë naiv sa të besoja se kjo gjykatë dhe kjo prokurori do të ishin në gjendje të ngrinin akuza kundër Berishës dhe ta gjykonin atë. Unë sfidova sistemin duke ia lënë këtë çështje si patate të nxehtë në duar gjykatës dhe prokurorisë, duke provokuar sistemin e korruptuar të drejtësisë si dhe duke i rrëzuar çdo alibi edhe njeriut më naiv se ky sistem i korruptuar drejtësie mund të vetërigjenerohet.
\
Jo, ky sistem nuk mund të reformohet në këtë mënyrë, korrupsioni qëndron i patundur në pallatin e drejtësisë dhe po sfidon durimin dhe forcën e shqiptarëve të ndershëm. Drejtësinë dhe lirinë nuk t’i dhuron askush dhe për më tepër ata që t’i kanë uzurpuar. Ky vendim gjykate rikonfirmoi se, ka qenë dhe është pikërisht ky sistem i korruptuar drejtësie garanti i çdo krimi qeveritar dhe i shpërdorimit të parave publike. Është një lidhje simbioze e këtij sistemi të korruptuar drejtësie me politikën e sotme që e bëjnë të pamundur gjetjen e drejtësisë me anë të këtij sistemi. Të vetmit që janë të interesuar për vendosjen e drejtësisë janë shqiptarët e thjeshtë dhe parimorë, të cilët po vuajnë pareshtur pasojat e këtij sistemi poshtërues. Unë dhashë një shembull se me këtë sistem duhet të përballemi dhe besoj se sado pak kam ndikuar që të vritet frika ndaj atyre që vetëquhen të paprekshëm dhe të zgjohet ndërgjegjja qytetare.
-Pse në gjykimin tuaj gjyqtari Lazër Sallaku shpëtoi Berishën dhe disa ministra të PD nga ky skandal?
Pas këtij vendimi absurd, të turpshëm, të pabazuar në fakte dhe prova, unë kam arritur përfundimin se, në sistemin tim të drejtësisë ka shumë pak apo aspak persona që aspirojnë për drejtësi. Dihet që Berisha e kontrollon deri në detaje këtë sistem. Ai e ka marrë peng këtë sistem dhe kjo shpjegon më së miri trimërinë e tij për të grabitur pasuritë publike dhe çdo gjë tjetër. Mendoj dhe besoj se ky gjyqtar është një ushtar apo peng i Berishës, një tullë e kalbur e këtij sistemi, një gjyqtar pengmarrës i drejtësisë dhe aspirues i mbajtjes peng të këtij sistemi sa më gjatë. Berisha dhe tabori i tij po luftojnë në çdo aspekt për ta vonuar sa më shumë një vendosje të drejtësisë dhe sundim të ligjit në Shqipëri. Po kështu nuk janë pas edhe politikanët e tjerë. Nëse do të besohej se Berisha do të çohej përpara gjyqit për aferën CEZ, nuk do të kishin guxim pushtetarë të mëpasshëm ta bënin 20 milionë euro kilometrin e autostradës dhe të nxirrnin preventivin akoma pa bërë projektin. Pra, kjo politikë është solidare kur bëhet fjalë për të vendosur realisht drejtësinë. Gjyqtari në fjalë e mori këtë vendim pa ju dridhur qerpiku i syrit, gjë që tregon se garancitë nuk i kanë ardhur vetëm nga Berisha. Koha do ta tregojë shumë shpejt se unë kam të drejtë në këtë konstatim timin.
-Gjyqtari pretendon se nuk kemi prova dhe vepër penale. A ka prova që tregojnë vjedhjen që ndodhi me aferën e CEZ?
Pretendimi i gjyqtarit është më shumë se qesharak. Janë një sërë provash të reja të ofruara nga unë dhe një nga Kuvendi i Shqipërisë. Unë kam ofruar të gjitha e-mailet që vërtetojnë dhe provojnë se procesi i privatizimit të OSSH-së ka nisur mjaft përpara se të deklarohej në publik, se ky proces ishte i paracaktuar, se janë shkelur të gjitha parametrat e tenderit të këtij privatizimi, se janë ngritur në mënyrë të parregullt komisionet e tenderit, se është favorizuar antiligjërisht CEZ-i me 110 milionë euro ndërkohë që pretendohet se u shit me 102 milionë euro. Shkeljet janë të panumërta për t’u përmendur në këtë shkrim po për ta mbyllur historinë e provave u gjetën edhe 6.8 milionë euro pagesa nga CEZ-i tek Nuel Kalaj, por të gjitha këto sipas këtij gjyqtari nuk kanë vlerën e provës. Jo, prokuroria për më shumë se dy vjet nuk ka bërë absolutisht asnjë investigim dhe gjykata nuk mori parasysh asnjë provë. Unë do t’ju ofroj ju të gjithë qëndrimin tim të detajuar përpara gjykatës në mënyrë që të krijoni një ide më të qartë të çështjes.
-Pas mbylljes së dosjes për Bashën, tani shpëton dhe Berisha. Çfarë po ndodh në sistemin e drejtësisë? A ka një pakt që të gjithë të dalin të palagur në këtë mes?
Lufta për drejtësi është kauza reale dhe lufta për mbijetesë e këtij populli. Të gjithë popujt që janë zhdukur fillimisht kanë humbur fillin moral. Duket si abstrakte, por të gjitha llojet e padrejtësisë e shpopullojnë një vend dhe tek ne po bien kambanat e alarmit. Drejtësia nuk mund të vazhdojë të mbetet mollë e ndaluar për ne, prandaj nëse duam të mbijetojmë, nëse duam të kemi liri dhe dinjitet, nëse duam të bëhemi dhe të kemi një të ardhme këtu, ne duhet me çdo kusht ta bëjmë sistemin e drejtësisë. Përballë kësaj kërkese tashmë popullore, qëndron në bllok e gjithë politika e këtyre 30 viteve, e cila është bërë zëdhënëse e krimit, e ka çuar atë në zenit dhe rrezikon vetë ekzistencën e saj në rast të fitores së drejtësisë.
Padyshim që ka një pakt në heshtje për të mos goditur njëri-tjetrin vëllezërit siamezë të shpërndarë nëpër të gjithë spektrin politik. Ata mendojnë se do të dalin palagur, por unë mendoj ndryshe. Një tërmet ra dhe politika u dhjaks. Zoti i goditi pikërisht në pikën më nevralgjike, te sektori i korruptuar i ndërtimit duke na dhënë edhe mesazhin kuptimplotë se, shteti pa parime është si shtëpia pa themele. Njerëzit nuk duhet të ndahen sipas partive, por sipas moralit. Kjo luftë është thjesht e mira kundër të keqes kështu që politika jonë e pazarit do të vazhdojë pareshtur sabotimin dhe mbajtjen peng të sistemit të drejtësisë.
-Çfarë do të ndodhë tani. Do tërhiqeni apo keni ndonjë plan tjetër për rrugët që duhen ndjekur sa i takon këtij skandali?
Padyshim që do të vazhdoj. Do të vazhdoj ligjërisht, por edhe më tej. Do të ndërmarr çdo hap që do t’i shërbejë vendosjes së drejtësisë në Shqipëri. Ligjërisht do t’i drejtohem Gjykatës së Apelit edhe pse kam humbur çdo besim tek kjo drejtësi dhe tek kjo politikë. Po mendoj seriozisht edhe për të ndërmarrë një nismë popullore për drejtësi. Besoj se kjo e dyta do të jetë më e efektshme.
-Ku gaboi prokurori në gjykimin tuaj? Në aspektin juridik flasim.
Prokuroria nuk ka bërë asnjë hetim. Prokuroria thjesht ka bërë një zbërthim semantik të e-maileve të ofruara nga unë dhe ka fjetur dy vjet mbi dosjen. Megjithatë mendoj se kjo dosje mund të shkonte në gjykatë edhe vetëm me investigimin tim. Fakti që fshihet Nuel Kalaj flet qartë se ai vetë është i vetëdijshëm për çfarë ka bërë, por prokuroria është urdhëruar të mos mendojë kështu. Unë deklaroj me bindje se ne kemi çdo gjë, por jo prokurorë.
-A është kjo një dëshmi që Berisha vijon të jetë ende i fortë dhe nuk i hyn dot gjemb në këmbë?
Berisha mund të duket i fortë, por realisht ai është në të tatëpjetën e tij. Për më shumë se dy vjet ai e mbylli gojën e tij që nuk mbyllet kurrë përpara akuzave të mia dhe u detyrua të mbijetojë vetëm me procedurë. Berisha mund të jetë i fortë vetëm përballë politikanëve të korruptuar si ai, por kurrë me ata që aspirojnë për drejtësi. Ju siguroj se ai nuk do t’ia hedhë lehtë përballjes me mua. Është misioni im që këtë superhajdut të pasurisë kombëtare ta çoj përpara drejtësisë.
Fakti që ai nuk u arrestua siç unë kam kërkuar, që nuk iu sekuestrua pasuria, flet shumë për një cenim të rëndë të integritetit të këtij procesi. Këta prokurorë dhe gjykatës nuk kanë as moral dhe as bythë të përballen me Berishën. Pikërisht kjo është forca e tij reale. Sot ai ka rënë moralisht, nesër me siguri do të bjerë në të gjitha drejtimet. Frika i lexohet në fytyrë dhe veprimet e tij destabilizuese ku ai aspiron edhe ta djegë vendin, vetëm për arsyen që ai kurrë të mos përgjigjet për krimet e tij.
-Kreu i ish-Komisionit Hetimor Taulant Balla deklaroi se padia do të dorëzohet në SPAK. Kemi ndonjë shpresë nga Prokuroria e Posaçme?
Nuk kam asnjë shpresë as tek Balla dhe as tek SPAK-u. Unë shoh mjaft qartë përtej demagogjisë dhe përrallave me SPAK dhe ASPAK.
-Ndërkohë në prokurori fle prej më shumë se dy vitesh një padi e juaja për aferën CEZ-DIA ku aty përveç ish-kryeministrit Berisha, akuzoni dhe presidentin Meta. Po për këtë padi keni dijeni çfarë po ndodh dhe a keni shpresë se diçka do ndryshojë?
Mesa duken bathët, janë larg Pashkët. Me siguri që edhe kjo çështje do të mbyllet dhe unë do të jem i detyruar të respektoj maskaradën e radhës. Megjithatë përballja ime do të vazhdojë. Megjithatë unë ju ftoj që ju të botoni më pas të plotë të dy kallëzimet e mia në mënyrë që të vlerësoni vetë realitetin lidhur me këto dy çështje të padëgjuara korrupsioni.