Të shkruash për xixëllonjat tërheq gjithmonë interesin e të gjithëve të cilët janë të shqetësuar pse gjithnjë e më pak i ndeshin këto bukuri plot dritë që na sjellin ndërmend momentet më të bukura të fëmijërisë.
Bletët nuk janë të vetmet specie në zhdukje, pasi edhe fluturat po hasin vështirësi. Por me xixëllonjat situata është mjaft problematike. Prej vitesh, shkencëtarët kanë paralajmëruar shuarjen e 2,000 specieve të ndryshme të xixëllonjave.
Nuk është aspak çudi. Dora e njeriut në mjedis është shkatërrimtare. Krijesa të ndryshme ‘janë pa shtëpi.”
Xixëllonjat shumohen dhe jetojnë në pyje, pranë liqeneve dhe lumenjve, nëpër kopshte dhe lëndina. Por kur betoni zapton çdo hapësirë të gjelbër, xixëllonjat humbasin habitatin e tyre.
Sikur betoni të mos mjaftonte, ekzistenca e tyre ndikohet për keq edhe nga pesticidet dhe ndotjet e shkaktuara nga njeriu. Xixëllonjat rrëfejnë më së miri shëndetin e mjedisit që na rrethon.
Sipas Dokumentit Shkencor Mbi Xixëllonjat, ato po shuhen në mbarë botën si rezultat i degradimit dhe humbjes së habitatit të tyre, ndotjes së lumenjve, përdorimit në rritje të pesticideve dhe ndotjes së vazhdueshme të ndriçimit në zonat e banuara nga njerëzit.