Opozita e ka shtuar dozën e sulmeve ndaj Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Një ditë pas vendimit të Prokurorisë së Posaçme për të shpallur moskompetencë për dosjen 184, duke e dërguar në Prokurorinë e Dibrës, Partia Demokratike dhe LSI sulmuan kryeprokurorin Arben Kraja.
Duke e cilësuar si shërbëtorin e kryeministrit Rama, ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha se kreu i SPAK po i mbron politikanët në pushtet.
“Hetuesi i diktaturës komuniste, që sot drejton Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja, nuk është emëruar në krye të SPAK-ut për të ndëshkuar politikanët me pushtet, por për t’i mbrojtur ata. Vendimi i tij i paligjshëm dhe politik për të mos hetuar krimin e rëndë të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër i shërben kreut të grupit të strukturuar kriminal, Edi Rama, i cili urdhëroi masakrën elektorale të Dibrës 3 vjet e gjysmë më parë. Pas vendimit që synon varrosjen e dosjes 184 dhe çlirimit penal të Edi Ramës e Damian Gjiknurit nga akuzat për vjedhjen e zgjedhjeve, Partia Demokratike e konsideron Arben Krajën një shërbëtor tjetër të Edi Ramës në drejtësi”, tha Alibeaj. Ish-deputeti gjithashtu tha se shpallja e moskompetencës për dosjen 184, ka hequr besimin e qytetarëve për SPAK.
“Ky është një nga ato vendime që minojnë besimin e opinionit publik tek reforma në drejtësi, për të cilën janë hedhur miliona euro dhe dollarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve në nivele të larta. Duke mos lejuar SPAK-un të hetojë skemën e vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, duke mos lejuar të zbulohet zyrtarisht cili ishte roli i Edi Ramës, çfarë detyre i dha Damian Gjiknurit, sa para hodhën në fushatë për blerjen e votës dhe frikësimin e votuesve, cili është burimi i këtyre parave, cilat ishin grupet e drogës që përfshiu në zgjedhje PS, Arben Kraja ka vepruar kundër interesave të Shqipërisë”, shtoi ai.
LSI thirrje të dështuara
Por përveç PD, në sulm është hedhur edhe LSI. Nënkryetari Petrit Vasili përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se SPAK dështoi me dosjen 184. Por Vasili ka bërë një tjetër thirrje për hetim ndërkombëtar të reformës në drejtësi. Por duket se këto thirrje të tij janë të dështuara, pasi SHBA dhe BE e kanë bërë të qartë se reforma është në rrugën e duhur dhe nuk ka kthim pas.
“Ndërkombëtarët si pjesë e Kushtetutës, hetim monitorimin e drejtësisë e kanë obligim! Të gjithë e dinë dhe asnjë nuk e ka harruar se në mënyrën më atipike dhe të paprecedent u pranua, që të përfshihej roli i ndërkombëtarëve edhe zyrtarisht në Kushtetutën e Shqipërisë për Reformën në Drejtësi. Pati edhe një debat të madh publik për cenimin e sovranitetit të vendit me këtë përfshirje të ndërkombëtarëve në Kushtetutë”, shkruan Vasili. Nënkryetari i LSI gjithashtu ka një mesazh për SHBA-BE. “Ndërkombëtarët garantuan.
Tani është koha tu dalin për zot garancive, që dhanë dhe presionit insistues që bënë për miratimin e reformës në drejtësi si reformë për të vendosur Shtetin Ligjor dhe jo Shtetin e kapur të Rilindjes”, tha Vasili. Po ashtu ai nuk ka ndalur sulmet ndaj SPAK për dosjen e vjedhje së votave. Sipas tij, dosja 184 ishte shansi i SPAK për të goditur pandëshkueshmërinë.