Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar me shumicë votash emërimin e prokurores Doloreza Musabelliu në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për një mandat 9-vjeçar. Ditën e djeshme në institucionin e Presidencës u zhvillua ceremonia e betimit, ku në prani të kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi dhe kreut të SPAK, Arben Kraja, prokurorja më e re e SPAK u betua para presidentit Ilir Meta.
Kreu i shtetit i uroi suksese dhe punë të mbarë prokurores Doloreza Musabelliu, e cila e konsideruar si “gruaja e hekurt” e drejtësisë u konfirmua nga vetingu me shumicë votash dhe pa asnjë problem në të tre kolonat e vlerësimit, pasuri, integritet dhe anën profesionale. Musabelliu është prokurorja në listën me 15 hetues, të cilët u përzgjodhën fillimisht nga KLP si pjesë e SPAK-ut. Doloreza Musabelliu ka kryer Shkollën e Magjistraturës në vitet 2002-2005 dhe është emëruar më pas prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ajo e ushtronte funksionin në këtë prokurori prej 14 vitesh, por pas shkrirjes së saj ajo kandidoi për të qenë pjesë e SPAK.
Doloreza Musabelliu është prokurorja e parë që ka hetuar Emiljano Shullazin në vitin 2007. Në atë kohë, prokurorja Musabelliu kërkoi 18 vite burg për Shullazin. Musabelliu ka hetuar edhe çështjen e avionit të pilotuar nga Guido Guidi, i cili u rrëzua në grykëderdhjen e lumit Ishëm, por që prokuroria nuk vërtetoi nëse me të do të kryhej trafik droge, pavarësisht pretendimeve dhe dyshimeve. Dy vjet më parë, prokurorja Doloreza Musabelliu ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive të dyshimta të biznesmenit të hidrosanitareve Nikolin Janina, pronar i kompanisë “Iberia invest” dhe “Alba ceramican” sh.p.k, apo e njohur si “Porcelanosa”.
Janinës iu bllokuan 4 milionë euro, pasi Spanja lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar për të si të përfshirë në trafik droge. Në pronat e bllokuara janë 4 banesa e 2 garazhe në Tiranë, 1 banese në Vlorë, tokë në Drimadhe, Porto Palermo, Llaman e Himarë. Gjithashtu Doloreza Musabelliu ka hedhur për korrupsion ish-gjyqtarin Ibrahim Hoxha, ndërsa ka në dorë dosjen Toyota Yaris me miliona euro të sekuestruara në Durrës. Prokurorja ka qenë e përzgjedhur nga autoritetet franceze për hetimet dypalëshe, kryesisht në fushën e trafikut. Dolorez Musabelliu çon në 11 numrin e prokurorëve në SPAK ku më herët janë emëruar dhe dekretuar 8 prokurorë, ndërsa Dritan Prençi dhe Vladimir Mara u komanduan përkohësisht.